Nuhiu: Po marrim në duar situatën, të gjithë deputetët janë evakuuar

Aktuale April 27, 2017 - 23:34

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, ka thënë se Policia e Maqedonisë dalëngadalë po e merr nën kontroll situatën si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit të Maqedonisë.

Nuhiu ka thënë se janë evakuuar të gjithë deputetët e shumicës së re në Kuvend, derisa ka thënë se brenda vazhdojnë të qëndrojnë disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, si Trajko Veljanoski, ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov, Vllatko Gjorçev dhe disa të tjerë.

Sipas ministrit të brendshëm deri në këto momente janë lënduar 14 pjesëtarë të policisë, megjithatë nuk ka numra konkret për numrin e qytetarëve të lënduar.

“Jemi duke e marrë situatën nën kontroll. Janë 14 policë të lënduar. Kemi edhe qytetarë por nuk mund të flasë me numra konkretë. Të gjithë deputetët janë evakuuar nga Kuvendi i Maqedonisë. Policia deri tash ishte e orientuar që të evakuojë deputetët, e më pas do të nisë edhe trajtimi i atyre që kanë shkelur ligjin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se Policia po grumbullon të gjitha provat dhe më pas do të ngrejë procedura adekuate, por pranoi se policia nuk ka qenë në nivelin e detyrës.

“Kemi përfshirë të gjitha strukturat e Policisë, madje edhe forcat speciale. Kemi formuar një shtab, Policia për vlerësimin tim në momentet e para mendoj se nuk ka qenë në kryerje të detyrës”, ka thënë ai për Alsat.