Gërvalla: Qeveria po i gënjen qytetarët, s’ka disponim në BE për heqjen e vizave

Aktuale May 08, 2017 - 22:38

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, Donika Gërvalla, ka shpërthyer me akuza kundrejt Qeverisë së Kosovës.

Gërvalla ka shkruar në Facebook se Qeveria e Kosovës po i gënjen qytetarët dhe deputetët dyfish për çështjen e vizave.

Gërvalla konsideron se disponimi për heqjen e vizave për Kosovën nuk është kurrkund.

Ky është shkrimi i plotë i Gërvallës:

Paradite zëdhënësi i qeverisë së Kosovës premton që nëse marrëveshja e papranueshme dhe kundërkushtetuese e demarkacionit me Malin e Zi kalon në Kuvend, vizat do të hiqen brenda 90 ditësh.

Pasdite BE-ja (përmes përfaqësueses së saj në Prishtinë) thotë se askush nuk mund të flasë për një datë të saktë rreth kësaj çështjeje.

Qeveria i gënjen qytetarët dhe deputetët dyfish, sepse ajo e din që vendimin rreth vizave për Kosovën nuk e merr Komisioni Evropian, por vendet anëtare të BE-së.

Dmth. vendimi merret në Berlin, Paris dhe kryeqytetet e tjera evropiane.

Dhe që disponimi për heqjen e vizave në këto kryeqytete është kurrkund, më së paku ka të bëjë me demarkacionin me Malin e Zi.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar fatkeqësisht mbetet sfida kryesore e Kosovës.