Deda tregon kushtin e Alternativës për koalicion me LDK-në

Aktuale May 12, 2017 - 21:45

Ilir Deda ka deklaruar se Alternativa është duke vazhduar bisedimet me LDK-në për të parë nëse do të hynë në koalicion parazgjedhor ose jo.

Deda ka thënë se dëshirë e Alternativës është që në listë zgjedhore bashkë me LDK-në, të hynë edhe Vetëvendosje dhe AKR.

“Ende nuk ka marrëveshje të koalicionit parazgjedhor ndërmjet Alternativës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në komunikatën për shtyp para tre javësh, ne kemi thënë se Alternativa angazhohet për krijimin shoqëror-politik që do ta bëjë në Kosovë në zgjedhjet e parakohshme. Ne jemi duke biseduar me LDK-në për parimet qeverisëse të cilat duhet të na bashkojnë, për çështjet emergjente që i ka Kosova dhe për zgjidhjen e problemit sa i përket rrafshit ndërkombëtar. Synojmë që në listën e gjërë të jetë edhe Vetëvendosje dhe AKR”, ka deklaruar ai për Klan Kosova.

Deda ka thënë se Alternativa me LDK-në po diskuton për mënyrën si të demontohet kapja e shtetit.

Sipas Dedës, duhet angazhim total që PDK-ja të dalë në opozitë.

“Ne jemi për të diskutuar që të krijohet ky front politiko-shoqëror i cili do ta garanton demontimin e kapjes së shtetit dhe tranzicionin mes qeverisë. Ne angazhohemi në krjimin e një liste të gjërë parzgjedhore e cila do ta lërë PDK-në në opozitë dhe kështu do vërehet një zhvillim i Kosovës. Nëse nuk krijohet kjo, prapë do ta kemi qeverinë e njëjtë me rezultatet të cilat i dimë”, ka thënë ai.