Abdixhiku tregon pse LDK e Vetëvendosje s'u morën vesh për bashkëpunim

Aktuale May 23, 2017 - 20:56

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për bisedimet që LDK zhvilloi me Lëvizjen Vetëvendosje për një bashkëpunim të mundshëm. Ai ka thënë se mes LDK'së e VV'së nuk u realizua marrëveshje më shumë për shkak të afateve kohore se sa ndryshimeve programore.

Sipas Abdixhikut, LVV kishte dy alternativa.

"E para që Vetëvendosje t’i bëhet bashkë bllokut të madh që ishte krijuar, bllokut LDK –AKR- Alternativa dhe koalicioni i gjerë i shoqërisë civile dhe e dyta që te gjenim marrëveshje për futje të listës së Vetëvendosjes e cila ka qenë më pak natyrale sepse po them edhe një herë blloku më i madh ishte krijuar në një anë", ka thënë ai në KTV.

Abdixhiku theksoi se ka pasur mirëkuptim dhe tendencë të afrimeve, por afati kohor ishte i shkurtë.

Tutje, ai theksoi se LDK tashmë e ka marrë koston e bashkëjetesës me PDK-në. E këtë e pasqyron me kthesën reformuese që po e merr subjekti, pjesë e secilës është edhe ai.

Çdo aleancë të mundshme me PDK-në, Abdixhiku e sheh si kapje. Ai thotë se do të kishte besuar në një PDK të ndryshuar, por një gjë të tillë nuk e sheh sot, të paktën këtë e tregojnë, sipas tij, listat e kandidatëve për deputetë.

“Secila aleancë më kapësit do të përfundojë me kapje. Nuk po e them unë, e kemi thënë të tre këtu me shkrime e analiza”, ka thënë ai.