Fatmir Limaj tregon si u bë koalicioni PDK-AAK-NISMA

Aktuale May 26, 2017 - 22:20

Koalicioni PDK-AAK-NISMA, ishte i shpejtë dhe ishte një vendim shumë i rëndësishëm, për t’i dhënë një mundësi vendit tonë e për t’i dhënë një mundësi Ramush Haradinajt.

Kështu e ka përshkruar koalicionit e orëve të vona të së martës, i pari i Nisma-s, Fatmir Limaj, duke theksuar edhe ndikimin që pati koalicioni i LDK-së me AKR-në, përderisa ka thënë që Ramush Haradinaj e meriton që t’i jepet një mundësi.

“Nuk ka vendim të lehtë në politikë sidomos vendimet e mëdha janë të vështira, e ai ishte një vendim shumë i rëndësishëm për t’i dhënë një mundësi vendit tonë e për t’i dhënë Ramush Haradinajt një mundësi. Ishte koalicion i shpejtë, zhvillimet kanë ndodhur pasditen e së martës dhe kanë qenë zhvillime të shpejta e dramatike” ka thënë Fatmir Limaj në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës.

Tutje Limaj ka treguar që një grup ekspertësh do të përpiloj programin nga tre partitë politike, të cilin do të shfaqë Ramush Haradinaj.

Qeverinë në krye me Haradinajn, Limaj, e sheh si partneritet në mes të këtyre tre partive, ku secila do të respektoj marrëveshjen e do të bartë pergjegjësitë e saja.