Veseli në Mitrovicë: S'ka forcë që ndalon shqiptarët të jetojnë në veri

Aktuale May 30, 2017 - 20:08

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë në Mitrovicë se PDK ka mbështetje të vazhdueshme të mitrovicasve, ndërsa premtoi zhvillim në ekonomi dhe në shumë fusha tjera. Ai ka thënë se nuk ka forcë që do të ndalojë shqiptarët të jetojnë në veri.

Veseli gjatë takimit me qytetarë, simpatizantë dhe struktura të PDK-së të Mitrovicës, tha se është e dhimbshme që gjatë tre viteve të fundit asnjë shtëpi nga Fondi ‘Ndihmo edhe ti’ të mos ndërtohet në veri, ndërsa banorët shqiptarë të vazhdojnë të jetojnë akoma me qira dhe nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

“Nuk ka forcë që do të ndalojë shqiptarët të jetojnë në veri”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, potencoi se qyteti i Mitrovicës duke qenë më specifik nga qytetet tjera, kërkon mbështetje akoma më shumë nga institucionet qendrore.

Ai ka falënderuar Veselin për ndihmën e vazhdueshme për qytetarët dhe qytetin e Mitrovicës, sidomos në aprovimin e Ligjit për Trepçën.

Në këtë takim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës nga Mitrovica, Drita Kadriu, Avdyl Salihu, Jehona Shyti dhe Rrustem Musa.