Haradinaj rrëfen krejt si u arrit koalicioni, në sa ora e thirrën dhe kush

Aktuale May 30, 2017 - 20:30

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj ka rrëfyer për natën ku u arrit ky koalicion.

Ai ka deklaruar se atë natë ishte në Shqipëri në një takim me Luzlim Bashën kur e mori një telefonatë.

Ishte Kadri Veseli ai që e telefonoi. Haradinaj tregon se çfarë i tha dhe si ai refuzoi në fillim. Këto  ka rrëfyer ai në Rubikon te Adriatik Kelmendi.

Haradinaj thotë se kontaktet me PDK-në sikur edhe me krejt të tjerët i filloi sa ishte në Strasburg.

“Atje ka filluar një ballafaqim, po e quaj ashtu, nuk kam qenë i orientuar për një koalicion me PDK-në, nuk kam qenë i orientuar se ata mund të lëshojnë pe edhe në kryeministri”, tha ai, duke shtuar se nuk ka filluar ofrimi atje por se i kanë diskutuar shumë tema.

“Natën kur ndodhi koalicioni më telefonuan. Ata kanë filluar më herët të pyesin njerëzit e AAK-së. Atë natë mua më kontaktuan rreth orës 8 në mbrëmje|, tha ai.

Tregon se nuk ishte problemi i AKR-së atë natë, ngase thotë se e dinte se AKR shkoi te LDK, qysh 24 orë më herët.

“Unë i isha ofruar Pacollit edhe më herët. Kam menduar që ai shkon ose me Vetëvendosjen ose me ne. Ne kemi pas qëllim me shku edhe vet”, tha ai.

“Në natën e koalicionit unë isha në darkë me Lul Bashën në tavolinë. Veseli më telefonoi, me një numër tjetër, të një kolegut të tij. Më tha jemi tu e analizu gjendjen, nëse je i gatshëm me ta besu Qeverinë ne jemi të gatshëm, unë i thash jo”, rrëfeu Haradinaj në Rubikon.

“Pastaj u mblodhëm, folëm, dhe dikur kah fundi vendosëm. Po kanë qenë diku katër orë por intensive me biseda dhe grupe punuese”, tha ai.

“Qëndrimet e mia 10 vjeçare i kam ende, nuk i kam ndryshuar as për Demarkacionin, as Asociacionin as temat e brendshme qeverisëse. Asnjë bindje timen s’mu ka kërku me hjek dorë, kjo është më e lehtë”, tha ai.