Basha jep mesazhin e fortë për kritikët: Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes

Aktuale May 30, 2017 - 21:38

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte ditën e sotme në Gjirokastër, ku ka prezantuar kandidatët e kësaj partie për këtë qytet.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Basha ka folur edhe për kritikët ndaj listës së kandidatëve të PD-së, duke thënë se brenda PD-së askush nuk e ka të përhershme karrigen, dhe kjo është pjesë e ndryshimit.

“Që ta mundim me votë më 25 qershor njerëzit duhet të besojnë që ne nuk jemi këtu të bëjmë estradë. Ndaj ndryshimi ka filluar në shtëpinë tonë. Askush në PD nuk e ka të ngjitur karrigen pas vetes. Unë kam marrë vendime si kryetar i opozitës, kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira janë vendime të drejta në kohën e duhur. Është koha për vendime të forta, të mëdha.

Ne bashkë në Çadrën e Lirisë kemi marrë vendim të madh, nuk do ta lëmë më të jetë si më parë Republikën e Vjetër, frutat e demokracisë do t’i gëzojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare dhe që të ndodhë kjo duhet t’i japim fund pazarit politik të Republikës së Vjetër”, tha Lulzim Basha nga Gjirokastra.