Eurodeputetja sfidon Beogradin: Serbia të kërkojë falje për krimet në Kosovë

Aktuale June 17, 2017 - 19:58

Një deputete britanike e parlamentit europian po sfidon autoritet në Beograd. Ajo dëshiron që ata të kërkojnë falje për krimet e bëra në luftën në Kosovë. Julie Ward që ka qenë pjesë e Misionit të Vëzhguesve të BE’së në zgjedhjet e vendit tonë mban kontakte të vazhdueshme me organizatat e grave në Kosovë derisa ka kërkuar implementimin e ligjit për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.

Deputetja e Parlamentit Europian nga Partia Laburiste që udhëhiqet nga Jeremy Corbin ka ardhur në Kosovë bashkë me vëzhguesit e tjerë të parlamentit europian.

Në Kosovë asaj i intereson një çështje më shumë se të tjerat, trajtimi i grave që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale në luftën e fundit.

“Këto gra kanë pritur 17 vjet dhe kjo është një kohë shumë e gjatë që njerëzit të presin për drejtësi. Por janë gjithashtu 17 vjet të mospjesëmarrjes në shoqëri dhe vendit duhet t’i kthehen këto gra sërish në shoqëri”, tha Ward për KTV’në.

Gjithashtu ajo ka një sfidë edhe për liderët aktualë të shtetit të Serbisë.

“Kudo në botë ku liderët kanë kurajon të flasin sinqerisht për të kaluarën dhe të kërkojnë falje atëher bëhen më të mëdhenj. Kjo do të jetë sfida ime për autoritetet serbe, për Beogradin: Bëhuni të mëdhenj, duhet të kërkoni falje” tha ajo.