Deklarata e Driton Selmanajt pasi doli ndër më të votuarit e LDK-së

Aktuale June 17, 2017 - 21:23

Në rezultatet e publikuara deri më tani, të cilat nuk janë të plota, doli që ish-analisti Driton Selmanaj, të dalë i treti më i votuari në listën LDK-AKR-Alternativa. Ai për Gazetën Express tregon se a kishte pritur një sukses të tillë dhe se çfarë i siguroi atij një numër kaq të lartë të votave.

Më i votuar se Driton Selmanaj, doli vetëm i nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti dhe gruaja më e votuar e skenës politike, Vjosa Osmani. Pas tij, ishte kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli dhe shumë nga figurat më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike.

Rezultatet e publikuara tregojnë se Selmanaj mori 25.250 vota, ndërsa ai për Gazetë Express tha se nuk janë llogaritur votat në secilën komunë, dhe Selmanaj pret në tërësi një numër më të lartë të votave.

Anëtari i LDK’së thotë se ka hyrë në politikë sepse ka pasur ambicie për ta përcjellë idenë e tij e më pas edhe të ketë rezultat në këtë.

Selmanaj tregon se bindjet e tij kundër atyre, që anëtari i LDK'së i quan shkatërrues të shtetit, ka bërë që njerëzit ta pëlqejnë për atë që përfaqëson.

“Kur hyn në garë, hyn për të pasur rezultate të mira. Unë si kundërshtar i Partisë Demokratike ,edhe më parë, më ka bindur se jam në frekuenca të njëta me elektoratin e LDK’së”, thotë ai.

Sipas deputetit të ardhshëm në Kuvendin e Kosovës, përkrahja i erdhi për shkak të konceptit që ai kishte arritur ta transmetojë te qytetarët gjatë kohës kur ai ishte jashtë politikës. ‘Vetëm ditët e fushatës dhe koha e shkurtër e inkuadrimit në politikë’ thotë se nuk ia sollën numrin e madh të votave.

“Nuk e kam pritur krejt këtë përkrahje, por që kam pajtim me njerëzit në Kosovë, për këtë e kam prit, prandaj kam vendosur edhe të ndërroj angazhimin tim politik.”

“Opinioni më ka njohur përmes emisioneve, e kuptuar mendësinë time, qëndrimet e mija dhe mënyrat se si unë e konceptojë politikën”, ka shtuar Selmanaj.

Si i ri në politikë dhe në LDK, Selmanaj thotë se njerëzit e kanë mirëpritur vendimin e tij për ndërrim të angazhimit të tij politik dhe këtë edhe e kanë materializuar me votë ndaj tij.

Anëtari i LDK’së në listën për deputet pati numrin 16, të njëjtën me koalicionin LDK-AKR-Alternativa. Historikisht ndodh që kandidatët që bartin numrat e njëjtë me të partisë të mbledhin vota për të hyrë në Kuvend.

Selmanaj thotë se kjo rastësi mund të jetë arsyeja e një numri të vogël të votave, por përkrahja ndaj tij ka qenë

Ai madje tregon se nuk ka qenë i lumtur se ka bartur numrin e njëjtë me të partisë sepse, sic thotë Selmanaj, ka dashur të vlerësohet  për atë që paraqet, pa ndonjë ndikim tjetër.

Selmanaj thotë se numri i votave që u publikua deri më tani nuk është i ploti dhe ai pret që të marrë deri mbi 30 mijë vota.