Ish-imami flet për shenjat e para të radikalizmit në Kaçanik

Aktuale June 30, 2017 - 23:24

Musli Vërbani që ka shërbyer si krye-imami i Bashkësisë Islame të Kaçanikut thotë se që nga paslufta ka filluar të vërejë shenjat për nisjen e një fryme radikaliste të islamit në Kaçanik

Vërbani ka rrëfyer ekskluzivisht për emisionin “Jeta në Kosovë” se si kishin filluar shenjat e para që ai i quan nisje të ideologjisë vehabiste në Kaçanik.

Ai tha se nga viti 2001 kishin filluar disa veprime të vogla dhe sulme ndaj tij që ishte kundër kësaj ideologjie.

“Në Kaçanik për herë të parë tespihët janë larguar prej xhamive që është shenjë e vehabizmit, pastaj të bërtiturit amin me xhemat dhe përpos kësaj në çrregullimin e reshtave të xhematit…”, tha Vërbani.

Sipas Vërbanit, ai kishte mundur që në atë kohë të parashikoj se do të ndodhin ngjarje të tilla si shndërrimi i disa prej personave të Kaçanikut në terroristë.

Në anën tjetër, Ardiana Tusha nga Këshilli Rinor në Kaçanik, gjithashtu konsideron të papranueshme njoftimin nga xhamia për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit.

“Mu nuk më ka ardhë mirë hiq, na Kaçaniku jemi një vend i vogël dhe nihemi në mes veti por asnjë institucion nuk guxon me shku në pame ose ngushëllim tek terroristat që na kanë pru faqen e zezë”