Kryemadhi në krye të LSI–së, kërkon falje për bashkëqeverisjen me PS–në

Aktuale July 05, 2017 - 21:05

Monika Kryemadhi është zyrtarizuar si kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrimi, vetëm dy muaj pasi Petrit Vasili zëvendësoi Ilir Metën.

Vetë presidenti i zgjedhur e ka ndjekur konventën e mbajtur nga televizori. Kjo kur një ditë më parë kryeministri Rama i kërkoi në distancë të ridimensiononte rolin e kreut të shtetit, që ai e cenoi në fushatë.

Ajo që ka rënë në sy në fjalimin e Kryemadhit në konventë ka qenë falja që ajo kërkoi për bashkëqeverisjen me Partinë Socialiste në këto 4 vjet.

“Kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Nuk reaguam fort kur konstatuam se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge”, ka thënë Kryemadhi, citon tch .

Ajo ka paralajmëruar se LSI do të ketë përpara një rrugë të gjatë dhe të vështirë, por që nuk do të ketë kthim mbrapa.

“Besoj se është e qartë se ne jemi forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare, ata që do ta çojnë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave”, ka thënë Kryemadhi.

Ajo ka theksuar se beteja e LSI në Parlament do të jetë kundër asaj që e ka quajtur “kasta që ka marrë timonin e krimit”.

“Përballë nesh është një kundërshtar i armatosur me krimin. Ne do të bëjmë një opozitë të fortë deri në pikën e fundit, pa bërë kompromis me pushtetin”, ka shtuar Kryemadhi.

Në fjalën e tij në këtë event, kryetari i deritanishëm Petrit Vasili ka falënderuar ata qytetarë shqiptarë që votuan LSI-në dhe i thanë jo asaj që e ka quajtur “Shqipëria e drogës”.

“25 mijë shqiptarë votuan për Shqipërinë demokratike, jo Shqipërinë e drogës, jo për oligarkët, jo për një opozitë që flirton me pushtetin prapa perdes”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, “vendin e ka pushtuar pseudodemokracia që çon në zero çdo shans për të ardhmen dhe që me paratë e krimit tenton të blejë lirinë”.

“Këto vota janë themeli i një betoni të një opozite të vërtetë. LSI do të jetë muri ku do të thyejë kokën pushteti i krimit”, ka thënë Vasili, i cili ka kritikuar ashpër zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi ka provuar, ishin një ripërsëritje e zgjedhjeve të vitit ‘96, ishin një krim elektoral i strukturuar”, ka vijuar Vasili.

Në këto kushte, ai ka paralajmëruar se LSI ndodhet përballë një misioni historik, ai i bërjes së opozitës së vërtetë.

Në të njëjtat linja, nënkryetari Luan Rama ka nënvizuar se “Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe për alternativë të re, ndryshe nga ajo e arrogancës”.