Drashkoviq: Kosova është shtet i pavarur, Serbia ta pranojë dokumentin e Ahtisaarit

Aktuale July 05, 2017 - 21:46

Vuk Drashkoviq, politikan, shkrimtar dhe ish ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, thotë se edhe Serbia duhet ta pranojë dokumentin e Ahtisaarit dhe të vendos bashkëpunim të gjithanshëm me autoritetet dhe shumicën shqiptare në Kosovë, pa njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

“Shqiptarët e kanë pranuar dokumentin e Ahtisaarit dhe disa nga themelet e tij i kanë përfshirë edhe në Kushtetutën e Kosovës. Sipas atij dokumenti, është ndaluar bashkimi i Kosovës me Shqipërinë apo aneksimi i Kosovës apo marrja e ndonjë pjese të territorit të vendeve fqinje”, thotë Drashkoviq për “Blic”.
Ai tutje thotë se Kosova është detyruar që të heqë dorë edhe nga flamuri i Shqipërisë si flamur i vet, që gjuha serbe dhe cirilika të pranohen zyrtarisht në tërë territorin, që serbëve t’ju garantohen minimalisht 10 vende në parlament dhe e drejta e vetor në ligje të cilat mund të cenojnë pozitën si popull konstituiv, transmeton lajmi.net.

“Komunave me shumicë serbe i është garantuar shkallë e lartë e kulturës dhe autonomisë ekonomike, me të drejt në lidhje speciale ekonomike dhe kulturore me Serbinë, prani të lartë në polici, vetëqeverisje dhe gjyqësi”, thotë Drashkoviq.

Sipas tij, në dokumentin e Ahtisaarit shkruan se “të gjitha kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, si dhe pasuria e tyre, janë në pronësi të Kishës Ortodokse serbe me seli në Beograd”.

“Kosovën si shtet të pavarur sot e njeh pjesa dërmuese e vendeve anëtare të OKB-së dhe BE-së. Serbia tash nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Atë që mundem është që negociatorët tanë në Bruksel të tentojnë që të nxjerrin diçka më shumë se dokumenti i Ahtisaarit”, ka thënë Drashkoviq.