Temperaturat e larta, sa persona kërkuan ndihmë në Spitalin e Prizrenit?

Aktuale July 11, 2017 - 23:55

Prizreni gjatë ditës së sotme ka shënuar temperaturën prej 37 gradë Celsius, duke u bërë kështu edhe qyteti me temperaturën më të lartë në Kosovë.

Këto temperatura të larta kanë ndikuar edhe në shtimin e pacientëve në spitalin e këtij qyteti.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj ka thënë se këto temperature që siç i ka quajtuar ai ishin tropikale kanë shtuar sidomos numrin e pacientëve që janë të smurëve kronikë dhe të fëmijëve.

“Numri i përgjithshëm i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë është 100 persona, prej tyre 47 janë të pranuar në Spital, numri i të pranuarve është 10 pacientë në repartin e Pediatrisë, 4 prej tyre në repartin e Kirurgjisë, të tjerët janë shtruar në departamente të tjera”.

Sipas tij, fluksi më i madh i pacientëve është i atyre me sëmundje kronike, me hipertension dhe me diabet.

Avdaj ka thënë në Kosova Direkt të Klan Kosovës se për fat të mirë nuk ka pasur raste që kanë përfunduar me vdekje dhe se pacientëve që kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Prizrenit i është dhënë tretmani i duhur mjekësor.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat por se edhe ne si staf kemi ndërmarrë masa që numri i stafit të shtohet, duke patur parasysh edhe temperaturat e larta por edhe presim ardhjen e mërgimtarëve tanë në këtë kohë”.

“Intervenimet e planifikuara mund të zvogëlohen por duhet të përcaktojmë shkallë më të lartë të gatishmërisë ndaj atyre që atakohen nga temperaturat e larta dhe të ofrojmë trajtim dinjitoz mjekësor mërgimtarëve”.

Ai ka deklaruar poashtu se numri i pacientëve krahasuar me muajin e kaluar ka shënuar rritje por jo shumë evidente.