Teuta Rugova bëri potez të madh politik

Aktuale July 27, 2017 - 19:16

 

Avokati Tomë Gashi dhe opinionisti Dardan Islami kanë komentuar veprimin e deputetes së e zgjedhur të LDK-së, Teuta Rugova, e cila ditë më parë u bë kryelajm i mediave, nëse do të votojë pro ose jo për Ramush Haradinajn.

“Teuta Rugova respektohet jo për shkak të votave por për shkak se është e bija e presidentit Rugova, të cilin ajo e ka potencuar edhe në postimin e saj, por edhe shumë herë është thirrur në babain e saj”, tha Gashi në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Mendoj se ajo s’e ka shkruar fare atë status, por e kanë shkruar të tjerët. E kemi parë 4 vite në Parlament sa ka qenë aktive dhe sa shumë është e dëgjueshme ndaj partisë, madje edhe kur u votua për presidentin Thaçi, ndonëse ajo dhe familja  e saj kishin probleme me të”, ka thënë Gashi duke iu referuar gjithë zhurmës që u bë pas vizitës së Haradinajt në rezidencën Rugova.

Gashi ka thënë poashtu se merita që Teuta Rugova është në Kuvend është e parardhësit të saj, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Në anën tjetër, opinionsti Dardan Islami ka thënë se deputetët kanë të drejtë të votojnë ndryshe nga partia e tij.

”Deputeti ka drejtë të vendosë kundër partisë së tij. Teuta bëri potez të madh politik. Kjo është fantastike”,tha ai.

Por, sipas Gashit, kjo nuk është korrekte.

“Secili deputët i cili e fiton mandatin e ka të drejtën e vet individuale për të vendosur, por nuk është korrekte të vendosë jashtë qëndrimit politik të partisë”, tha Gashi.