Uk Lushi kërkon nga Veseli e Kurti që të ndalin urgjentisht gjuhën e ndyer dhe sulmet e ulëta kundër njëri-tjetrit

Aktuale July 29, 2017 - 19:23

Uk Lushi, sipërmarrësi dhe aktivisti i njohur i Lobit shqiptaro-amerikan në Amerikë përmes një postimi në Facebook, ka shkruar për Kadri Veselin e Albin Kurtin.

Ai ka kërkuar nga Veseli e Kurti që  urgjentisht të kërkojnë nga anëtarët e partive të veta të ndalin gjuhën e ndyer dhe sulmet e ulëta kundër njëri-tjetrit.

Ky është postimi i tij i plotë: 

Nëse janë liderë të vërtetë, Kadri Veseli dhe Albin Kurti duhet urgjentisht të kërkojnë nga anëtarët e partive të veta të ndalin gjuhën e ndyer dhe sulmet e ulëta kundër njëri-tjetrit.

Politika dhe drejtësia nuk mund të bëhen me shpifje, sharje dhe ndërsim të langonjëve. Kushdo që ka vjedhur, bërë krime apo e abuzon shtetin duhet dhe do të hetohet dhe dënohet nga institucionet e shtetit, jo nga gjyqësia partiake.

Në kohën kur të gjithë në rajon po ripozicionohen për zhvillime shumë të rëndësishme, heshtja juaj kundër gjuhës urrejtëse dhe tensionuese ndërshqiptare në Kosovë, na shkakton shqetësim të gjithëve që duam popullin tonë dhe reflekton mungesë aftësie lidershipi nga ju.

Betejat politike duhet të bëhen me ide, projekte dhe oferta zgjidhjesh të problemeve dhe zgjedhësit jemi ne-- të gjithë qytetarët, jo vetëm elektorati juaj.

Është lehtë të bihet në rrethin vicioz të sharjeve, fyerjeve dhe mërisë, por shumë vështirë të dilet nga ai. Mos u fshihni, por folni kundër çoroditjes së disa anëtarëve të partive tuaja, z. Veseli dhe z. Kurti!