Matoshi: Në vend të emancipimit, shoqëria kosovare është rikthyer në idetë përplasëse të islamit politik

Aktuale July 29, 2017 - 19:54

Ish-gazetari, Halil Matoshi ka thënë se debatet e kota dhe shterp fetare në Kosovë po lindin si pasojë e mungesë së ideve të mëdha për të cilat do të kishte konsesnsu shoqëror. Ka thënë se ideja e madhe e fundit rreth të cilës janë bashkuar kosovarët është shpallja e Pavarësisë.

Prej atëherë, sipas Matoshit, s’ka pasur asnjë ide të madhe, por vetëm deklarata primitive, ku janë përfshirë edhe hoxhallarë manipulantë  para një xhemati injorantësh të heshtur.

 “Pra, ideimi dhe ndërtimi i vlerave të reja nietzscheane – në kontekstin kosovar - konsiston në idenë e integruese në BE - përkatësisht përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane – duhet të shndërrohet në kodeks të ri të shoqërisë kosovare që do të kodifikohej si: Integrim, Modernizim, Emancipim", ka shkruar ai.

Ai ka konstatuar se shoqëria kosovare është rikthyer në idetë dalluese të islamit poliitk.

“Në anën tjetër shoqëria kosovare vuan nga injoranca e thellë dhe këtë më së miri e shprehin disa hoxhallarë që me teatralizëm shqiptojnë broqkulla”, ka shkruar Matoshi.

Reagimi i Matoshit vjen pas hapjes së debatit lidhur me bartjen e burkave nga gratë kosovare si dhe ideve se a duhet dhe si duhet të ndërtohet xhamia në qendër të Prishtinës.

Ai ka thënë se bartja e burkave ka përfunduar në gjysmë shekullin e kaluar derisa ka thënë se ka rrezik të rritjes së islamofobëve nëse vazhdon të ‘fyhet islami që manifestohet ekstremisht rrugëve të Prishtinës”.

“Në të njëjten kohë ksenofobët e rrisin masën e islamofobëve, kur me dramaticitet fyhet islami që manifestohet shpesh ekstremisht, si psh shfaqja e burkave në rrugët e Prishtinës (që ka përënduar përgjatë viteve të hoveve iluministe të shoqërisë shqiptare nën komunizëm, kah mesi i shekullit të kaluar!?); Në këtë dritëhije të prapakthimit fatal shoqëror – mungesa e ideve të mëdha - si dhe shijet primitive nërrafshin estetik, duhet pa edhe plani arkitektonik i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, që përket në traditën byzantine të Mesjetës së hershme. (Për këtë mund ta lexoni shkrimin e plotë, ditëve në vazhdim.)”, ka shtuar ai.

Në gjithë këtë situatë, Matoshi ka shkruar se shoqëria po vuan nga injoranca e disa hoxhallarëve që japin deklarata neofashiste.

“Pse është primitive ajo që thonë hoxhallarët injorantë Lika e Latifi & Co? Në vazhden e deklarimeve neofashiste nga provinienca e islamit politik duhet me u pa edhe dy deklarata të këtyre ditëve të fundit, të dy hoxhallarëve kosovarë nuk thonë asgjë për të tjerët porse e shprehin vetën e tyre – humneren e padijes ku janë katandisur – sëkëndejmi shprehin një primitivizëm arrogant dhe të mjerueshëm. Ata edhe kanë të drejtë në budallallëk, mirëpo habit lehtësia e padurueshme e heshtjes së njerëzve që i dëgjojnë: A janë aq primitivë e injorantë?”, ka shtuar ai. 

Këtu mund ta lexoni statusin e plotë të Matoshit:

Manipulantë të djallëzuar para një xhemati injorantësh të heshtur!

- Në kontekst të deklaratave primitive të dy hoxhollarëve kosovarë

Shoqëria kosovare vuan nga ksenofobia, nga frika prej tjetrit/tjetres (nga një frikë psikologjike) vetëm në manifestim të religjioneve, përderisa kjo nuk ndodh në manifestimin politik, në biznes, në këmbime kulturore etj., sepse në këto fusha i huaji shihet me empati;

Shumica e shqiptarëve i duan dhe u besojnë amerikanëve, i duan dhe i ngrisin në qiell gjermanët për kultin e tyre të punës dhe shpirtin rigjenerues, martohen me skandinavë, ndihen të afërt me turq…

Porse rreziku nga islamofobia (ndonëse nuk e nënçmoj, sepse prek dhe cenon të drejtat e njeriut dhe ato civile në arstet më ekstreme) megjithatë për shoqërinë kosovare është i shkallës më të ulët.

Në të njëjten kohë ksenofobët e rrisin masën e islamofobëve, kur me dramaticitet fyhet islami që manifestohet shpesh ekstremisht, si psh shfaqja e burkave në rrugët e Prishtinës (që ka përënduar përgjatë viteve të hoveve iluministe të shoqërisë shqiptare nën komunizëm, kah mesi i shekullit të kaluar!?); Në këtë dritëhije të prapakthimit fatal shoqëror – mungesa e ideve të mëdha - si dhe shijet primitive nërrafshin estetik, duhet pa edhe plani arkitektonik i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, që përket në traditën byzantine të Mesjetës së hershme. (Për këtë mund ta lexoni shkrimin e plotë, ditëve në vazhdim.)

Në anën tjetër shoqëria kosovare vuan nga injoranca e thellë dhe këtë më së miri e shprehin disa hoxhallarë që me teatralizëm shqiptojnë broqkulla.

Pse është primitive ajo që thonë hoxhallarët injorantë Lika e Latifi & Co?

Në vazhden e deklarimeve neofashiste nga provinienca e islamit politik duhet me u pa edhe dy deklarata të këtyre ditëve të fundit, të dy hoxhallarëve kosovarë nuk thonë asgjë për të tjerët porse e shprehin vetën e tyre – humneren e padijes ku janë katandisur – sëkëndejmi shprehin një primitivizëm arrogant dhe të mjerueshëm. Ata edhe kanë të drejtë në budallallëk, mirëpo habit lehtësia e padurueshme e heshtjes së njerëzve që i dëgjojnë: A janë aq primitivë e injorantë ?

A janë në gjumë të thellë dhe në amnezi totale?

Mendoj të dyjat sëbashku! Kjo është shoqëria kosovare – shumica injorante – e cila është tiranike dhe e rreziksme nga vet fakti se është shumicë!

Po qysh asnjëri për be t'Zotit nuk ngritet me kërku sqarime, fakte nga hoxha, ose sëpaku me shpreh mospajtim? Janë të frikësuar?

Ndoshta?

Por mbi të gjitha, të topitur!

E para, hoxha Bedri Lika, e quan haram udhëtimin me anije! Sipas tij nëndeti paska zjarr!

Ndërsa imami i xhamisë së Shipolit në Mitrovicë, Fatmir Latifi ka bërë emër prej vitesh me ligjëratat e tij me tone radikale.

Dhe e dyta imami Fatmir Latifi e përmend Ismail Kadarenë në një kontekst ekstremisht manipulative kur “mban ders” kinse për një rast sesi ky i paska kërkuar Ramiz Alisë që të mos lejojë hapjen e xhamive (sic!).

“Faktet po dalin, elhamdulillahi rabbil alemin. Ky Ismail Kadareja ka shku te Ramiz Alia dhe i ka thënë ‘lejoja katolikëve dhe ortodoksëve kishat, e për myslimanë nuk ka sepse të gjithë janë ba ateista. Mos i hap xhamiat se nuk ka kush të hyjë në to. Por Allahu azauexhel këtë fjalë e paska ni dhe i ka shti në xhami njerëzit…”, thotë Latifi derisa shpërthen në ngashërim.

Pse ideja e madhe politike dhe emancipative e Perendimorizimit të shoqërisë kosovare duhet të vlejë si ideologji dhe dogmë e re

Shoqëria shqiptare dhe elitat e saj politike dhe kulturore (veçmas kjo kosovare për shkak të kontesktit) pas pavarësimit (2008) nuk kanë identifikuar ndonjë ide të madhe politike ose zhvillimore e emancipative, përderisa idetë e mëdha emancipative të përmasave revolucionare kanë shteruar në vitet ’50 të shekullit të kaluar (në Kosovë arsimimi i vajzave dhe grave, kurset kundër analfabetizmit, fushatat revolucioanre për heqje e ferexhesë) kurse në Shqipëri edhe në braktisjen dhe batallisjen e faltoreve (pas ndalimit të feve me dekret në vitin 1967) gjatë kësaj kohe në Shqipëri janë rrënuar 2169 faltore, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Gjatë viteve 50-60 në Kosovë mund të flistet për idenë e madhe të pajtimit të hasmërive (njihet si epoka e Rankoviqit) kur sipas hulumtimeve empirike (shih: Dr. Hajredin Hoxha; Kosova) pushon gjakmarrja në Kosovë për ta përballuar represionin shtetëror (gjatë aksionit të koduar si : Aksioni për mbledhjen e pushkëve”)

Në vitet ’90 në Kosovë poashtu rifillon fushata e pajtimit ët gjaqeve me idenë pajtuese të shoqërisë (drejtuar nga profesori dhe folkloristi Anton Çetta…)

Ndërsa idetë e mëdha politike në Kosovë shterojnë poashtu në shekullin 20.

Sëpari idetë e mëdha të Ibrahim Rugovës për një lëvizje paqësore të koduar si : Liri, Pavarësi, demokraci dhe sëdyti krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) guerila që betejës politike për liri i dha dinamikë dhe dimension tejtër, të konfliktit të armatosur!

Dhe ideja e madhe fundit politike tek kosovarët është ideja e shpalljes së shtetit të pavarur dhe Sovran që u realizua më 17 shkurt 2008. (Kurse në Shqipërinë positkomuniste, idetë e mëdhe u realizuan me rrëzimin e diktaturës dhe përqafimin e demokracisë (1990), integrimin në NATO (2009), liberalizimin e vizave (2010)…

Pastaj në Kosovë nis të shijohet pushteti si fuqi (në pak duar), krijohen elitat skajshmënisht të korrrupotuara duke krijuar një baltak në arsimimin dhe emancipimin shoqëror dhe një havari e batallisje të shkollës shqipe e cila për 18 vjetë krijon armata të tëra të analfabetëve funksionalë.

Kështu që shoqëria kosovare, duke mos prodhuar më ide të mëdha politike dhe emancipative shënon prapakthim madje edhe riciklim të mënyrës primitive, tribale të jetesës dhe marrdhënieve shoqërore duke u rikthye tek idetë përplasëse te islamit politik dhe fanatizmave tjerë fetarë.

“Ngjarjet më të mëdha nuk janë orët tona më të zhurmshme, por ato më të heshturat. Bota nuk rrotullohet përreth zbuluesve të britmave të reja, por përreth zbuluesve të vlerave të reja; e rrotullohet në heshtje.” – shkruan Fridrich Nietzsche – që në kontekstin kosovar dmth se elita politike ose kulturore duhet të mendojë dhe prodhojë ide të reja të mëdha që këtë shoqërei e mabjnë sëbashku në komb, të papërplasur dhe të zhvilluar.

Pra, ideimi dhe ndërtimi i vlerave të reja nietzscheane – në kontekstin kosovar - konsiston në idenë e integruese në BE - përkatësisht përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane – duhet të shndërrohet në kodeks të ri të shoqërisë kosovare që do të kodifikohej si: Integrim, Modernizim, Emancipim: