Vllasi: Vuçiq e ka kuptuar realitetin se Kosova është e pavarur

Aktuale July 29, 2017 - 20:40

Avokati dhe analisti i njohur kosovar, Azem Vllasi ka thënë për mediat serbe se Aleksandar Vuçiq e ka bërë hapin e parë të rëndësishëm për tu larguar nga ideologjitë se “Kosova është Serbi”.

Ai ka thënë se deklarata e Vuçiqit për marrëveshje historike ndërmjet dy vendeve, është hapi i parë drejt braktisjes së iluzionit se Kosova është krahinë e shtetit serb.

“Që kur regjimi i Millosheviçit krijoi krizën në Kosovë me përmbysjen me dhunë të autonomisë kushtetuse në vitin 1989 dhe publiku serb thoshte se Kosova është Serbi, paraqitja e fundit publike e Vuçiqit, është hapi i parë drejt braktisjes së atij iluzioni”, tha Vllasi, transmeton lajmi.net.

Sipas avokatit Kosova është e pavarur që nga viti 1999, pas bombardimeve të NATO-s.

Sipas Vllasit, tash është koha për një marrëveshje mes dy vendeve e cila duhet të finalizohet me njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë “në kufijtë ekzistues, dhe në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.