Mustafa: PAN-i nuk i ka as votat e as njerëzit

Aktuale July 31, 2017 - 19:38

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka thënë se, “Fillimi i Ri” i PDK-së ka dështuar.

Sipas Mustafës, ky koalicion nuk i ka numrat ani pse siç ka shkruar ai, PAN ka dalë në gjueti për numra, transmeton “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Mustafës:

Fillimi i Ri i PDK-së dështoi.

“Çdo fillim i ri fillon në fund të një fillimi të vjetër”.

Dhe ky fillim i PDK-së, që ishte mohim i vetvetes, nuk e pat as fatin e kësaj të vërtete shkencore.

Numrat, për të cilët ka dalë në gjueti Koalicioni PAN, janë gëlltitje e kritikave se qeverisja nuk bazohet në numra.

Në fakt qeverisja bazohet në njerëz, por votat janë numra. PAN nuk i ka as votat e as njerëzit.

Në zgjedhje ka marrë përkrahjen e çerekut të votuesve, kurse çereku i votave nuk paraqet kurrfarë shumice për të pretenduar për t’i bërë institucionet.

Në këtë shoqëri, secili duhet të bartë pasojat e veprimeve të veta. IM