Sami Kurteshi është kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit

Aktuale August 10, 2017 - 17:20

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se deputeti dhe anëtari i kryesisë së kësaj Lëvizje, Sami Kurteshi ka marrë besimin e aktivistëve të Gjilanit për të qenë kandidat për kryetar të Gjilanit, në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Zotin Kurteshi e urojmë për rezultatin në procesin zgjedhor të brendshëm dhe i urojmë suksese edhe në garën për kryetar komune”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Kurteshi ka qenë edhe Avokat i Popullit për një mandat. Ai do të jetë në garë me kryetarin aktual Lutfi Haziri nga LDK, derisa partitë e tjera ende nuk i kanë bërë publikë emrat e kandidatëve për kryetar të kësaj komune.

Vetëvendosje është ndarë mirë në Gjilan në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 11 qershor, duke dalë partia e parë prandaj pret që ta marrë drejtimin e kësaj komune, që do të ishte hera e parë që e drejton. Por Lutfi Haziri, në anën tjetër qe shprehur i bindur se do të arrijë të mbajë primatin e tij dhe të LDK-së në “kryeqendër të Anamoravës”.