Çitaku në OKB: Haradinaj dhe Lushtaku nuk shkuan në Beograd të luftojnë

Aktuale August 16, 2017 - 20:40

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndër tjerash ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është lëvizja më e suksesshme çlirimtare në historinë e vonshme.

Çitaku i është kundërpërgjigjur akuzave të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke thënë se Kosova është krenare me historinë e liderëve të saj.

“Jemi shumë krenarë që në politikën tonë kemi njerëz që kanë luftuar kundër Millosheviqit dhe Sheshelit, të cilët ishin kriminelët më të këqij në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Jemi krenarë për historinë e liderëve tanë", është shprehur ajo.

LEXO EDHE: Çitaku Daçiqit: Jemi krenar që ne nuk kemi pasardhës të Millosheviqit

“Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj nuk kanë shkuar në Beograd për të luftuar, kanë luftuar mu para shtëpive të tyre, i mbrojtën shtëpitë e tyre, kanë luftuar në oborrin e tyre më qëllim që të mbrojnë civilët dhe clirimin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

“Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet, jo vetëm për Kosovë, sepse Kosova e ka rrugën e vet, jemi të lirë, jemi të pavarur dhe kjo nuk mund të ndryshojë. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e tyre, mu për shkak të fëmijëve të tyre”, ka thënë nder tjerash Çitaku.