Sot arriti në Kosovë ish-ushtari i UÇK-së, pas 13 vitesh ekstradim në Serbi

Aktuale August 17, 2017 - 21:41

Ka mbërritur në Kosovë ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Anton Lekaj, i cili sot është liruar nga burgu në Serbi, ku është mbajtur 13 vjet, si i dënuar për krime lufte të kryera ndaj popullsisë civile në Kosovë, menjëherë pas intervenimit të NATO’s. 

Vëllai i Lekajt, i njohur edhe si Pinço, ka treguar per Gazetën Express se gjakovari i dënuar nga Gjykata e Qarkut në Serbi për krime lufte tashmë ndodhet në territorin e Kosovës.

Ai ka kaluar në kufirin me Serbinë, në Merdare, rreth orës 18:30, dhe është duke shkuar për në vendlindjen e tij, në Gjakovë.

Pinço po shoqerohet nga gruaja e tij, dhe djali i tyre 16-vjeçar, të cilët kanë dalë ta presin atë në kufi, pas lirimit të tij sot, kur i ka përfunduar i gjithë denimi i shqiptuar nga gjykata serbe më 2005.

Gjakovari ishte arrestuar më 17 gusht të 2004’ës në Mal të Zi, e më vonë ishte ekstraduar në Serbi për t’iu caktuar dënimi një vit pas.

Ish-ushtari i UÇK’së e ka vuajtur dënimin deri në ditën e fundit, pa u amnistuar asnjë ditë.

Në aktgjykimin ndaj tij, gjykata serbe pretendonte se krimet, Anton Lekaj, i kreu nën komandën e ish-komandantit të UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Sipas aktgjykimit, 37 vjeçari, dy ditë pas intervenimit të NATO’s në Gjakovë, kreu vrasjen e një personi dhe torturimin e përdhunimin e disa civilëve tjerë të komunitetit rom dhe ashkali dhe një serbi.

Në bashkëveprim me Pinçon, sipas Prokurorisë serbe, ishin edhe pesë ushtarë tjerë të UÇK-së.

Katër prej tyre procedura u është pezulluar, në mungesë të mundësisë për t’i sjellë para gjykatës serbe, ndërsa i pesti, Besim Bistrazhini, ka vdekur.