Mësohet emri i kandidatit të AAK-së për kryetar të Deçanit, nuk është Daut Haradinaj
Daut Haradinaj përfundimisht nuk do të jetë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Deçanit, në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtën e sivjetme.
Dega në Deçan e AAK'së sot i ka dhënë mbështetje Bashkim Ramosajt për kandidaturën e tij për kryetar të kësaj komune.
Kështu ka bërë të ditur Daut Haradinaj, i cili është shprehur i bindur në fitoren e AAK'së në këtë komunë.
“Të gjitha strukturat e degës së AAK-së në Deçan sot i dhanë mbështetje të fuqishme kandidaturës së Bashkim Ramosajt për Kryetar të Komunës së Deçanit", ka shkruar Haradinaj në Facebook.
"Dega e AAK-së në Deçan është si asnjëherë e strukturuar dhe e fuqishme ku fitorja e radhës është e padiskutueshme", ka thënë ai.
"Ju priftë e mbara Bashkim Ramosaj drejt fitores dhe të gjithë asambleistëve në listë! Deçani pret shumë prej teje mbështetja nuk do të mungon”, ka shkruar Haradinaj.