Limaj tregon se kur mund të mbahet seanca e radhës në Kuvend

Aktuale August 29, 2017 - 21:15

Askush ende nuk e di saktë se kur do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të ri të Kosovës, pas gjashtë dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Të enjten e kaluar, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në seancën e Kuvendit ka pranuar se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin, dhe ka kërkuar afat shtesë, siç ka thënë ai, më shumë se dhjetë ditë dhe më pak se dy javë.

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, që bën pjesë në koalicionin PAN, ka thënë të martën se seanca e radhës mund të mbahet më 7 shtator, ose edhe më herët, shkruan Gazeta Express.

“Mundet 7 shtatori, mundet edhe më përpara”, ka thënë Limaj, gjate një interviste në RTK.

Sipas Limajt, është koha të merren vendimet dhe të ecet përpara. “S’ka kurrfarë arsyetimi më (për vonesa), dëmtohet vendi”, është shprehur ai.

Limaj ka thënë se duhet të merren vendime politike, duke theksuar se s’ka vendime të lehta në politikë.

“Duhet të hapen rrugët për ndërtimin e institucioneve”, ka porositur ai.