27 vite nga vizita historike e senatorit Bob Dole në Kosovë (Video)

Aktuale August 29, 2017 - 21:28

Sot janë bërë 27 vjet nga vizita historike e delegacionit të Kongresit të SHBA-së në Kosovë, e cila udhëheqej nga senatori Robert Joseph Dole (Bob Dole).

Kjo vizitë e cila  ishte organizuar nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në SHBA, u bë në kohën më të vështirë të represionit dhe terrorit shtetëror serb, në vitin 1990 ku senatori Dole kishte ardhur për të parë gjendjen nga afër, shkruan Indeksonline.

Në Prishtinë ky delegacion u prit nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe rrethi i tij intelektual, ku i informuan për situatën e rëndë politike që ekzistonte në Kosovë.

Kjo ishte vizita e parë e një delegacioni të nivelit më lartë të SHBA në Kosovë dhe vizita më shpresëdhënëse që shqiptarët ta vazhdojnë luftën për liri dhe pavarësi.

Në këtë delegacion të udhëhequr nga senatori Dole, merrnin pjesë dhe shtatë senatorë amerikanë, të cilët do t’ i raportonin Senatit dhe Kongresit mbi situatën e përgjithshme në Kosovë.

Në përfundim të vizitës, Senatori Dole i tha serbit, Momqillo Trajkoviq që t’ ua përcillte porosinë e tij udhëheqjes së Beogradit, se nuk do të lejohet më me abuzimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Nga kjo vizitë historike, fati i Kosovës ndryshoi. Pas 9 vitesh nga kjo vizitë, Kosova u çlirua nga NATO dhe SHBA-ës, dhe pas 18 vitesh Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.