Presidenca tregon se çka do të flasin nesër Thaçi dhe Vuçiqi në Bruksel

Aktuale August 30, 2017 - 21:36

Temat kryesore që do të bisedohen nesër në Bruksel në takimin që pritet të mbahet mes Presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët si dhe do të diskutohet për të ardhmen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka deklaruar këshilltari i Presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, i cili në një prononcim për Indeksonline theksoj se dialogu i ri do të ketë një frymë më dinamike dhe do të jetë më përmbajtjesor që do të qoj drejtë një marrëveshje kornizë gjithëpërfshirëse.

“Bisedimet e nesërme kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut që është zhvilluar, dhe e dyta do të diskutohet për të ardhmen e dialogut, ku presidenti Thaçi ka më shumë se një vit që kërkon që dialogu të marrë një frymë dinamikë por edhe të bëhet më përmbajtjesor që do të qoj drejtë një marrëveshje kornizë gjithëpërfshirëse drejtë marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore dhe njohjes së Kosovës si shtet dhe më pas pajtimit ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai.  

Ndërkaq lidhur me çështjen e të pa gjeturve, dhe kërkesës që kjo të futet si temë diskutimi në këto bisedime, Arifaj ka theksuar se Presidenti Thaçi kohë më parë ka kërkuar që kjo temë të mos politizohet pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare për të cilën Serbia duhet të reflektoj.

“Presidenti gjithmonë ka kërkuar që tema e të pagjeturve mos të politizohet pasi kjo është një çështje krejtësisht humanitare edhe që të gjitha mekanizmat relevant të angazhohen sa më parë që kjo çështje të mbyllet dhe çdo familje të mësoj për fatin e anëtarit të vetë”, ka thënë ai.