Këto janë procedurat për formimin e Qeverisë
Pasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mandatuar dje Ramush Haradinajn për kryeministër të Kosovës, ky i fundit do t’i ketë 15 ditë afat për prezantimin e kabinetit dhe votimin e Qeverisë.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu në një prononcim për “Indeksonline” ka shpjeguar procesin e votimit të Qeverisë dhe prezantimin e ministrave të rinj.
Ai beson se në seancën e cila do të mbahet nesër për votimin e Qeverisë së re nuk do të ketë ndonjë ngecje të mundshme pasi PANA ka deklaruar se i ka 63 vota.
“Mandatari që e propozon koalicioni PANA, do të ketë në dispozicion një afat prej 15 ditësh, pas dhënies së mandatit nga Presidenti Thaçi, ku duhet ta ofroj listën e kabinetit Qeveritar”, ka thënë ai.
Më tej, ai tregon se pas kësaj thirret një seance e re që i bie seanca e parë e rregullt ku do të duhej të votohej kabineti Qeveritar.
“Nëse janë 62 vota e më tepër atëherë zyrtarisht kemi kabinetin e ri Qeveritar. Mandatari i Qeverisë se re në seancën e parë të rregullt duhet të ofroj një program, ku pastaj votohet kabineti dhe pas kësaj konstituohen gjitha institucionet e vendit”, ka thënë ai.
Baraliu ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës në këtë rast është shumë e qartë në procedurat që duhet ndjekur, vetëm nëse siç ka thënë ai deputetët të cilët e kanë votuar kryetarin e kuvendit mund të mos e votojnë mandatarin e Qeverisë së re.
“E vetmja pengesë mund të jetë nëse ndërron mendje dikush nga deputetët, të cilët e kanë votuar kryetarin e kuvendit, por eventualisht nuk e votojnë mandatarin e Qeverisë. Por sipas deklarimeve të vetë PAN, nëse i posedojnë 63 vota atëherë Qeveria e re do të votohet pa problem”, ka thënë Baraliu.