Historike: 19 vjet pasi ia vranë babanë, vajza mban fjalim emocionues

Aktuale September 13, 2017 - 08:53

 

Plot 19 vjet pas vrasjes të heroit të demokracisë, Azem Hajdari, dje në parlamentin e Shqipërisë ka folur për herë të parë vajza e tij, Rudina Hajdari.

Në fjalën e saj, Rudina e ka quajtur nder dhe privilegj praninë e saj në Kuvend, duke theksuar se mosrespektimi i këtij institucioni është mosrespektim ndaj atyre që nuk janë sot.

Ajo u ndal edhe te qeveria e re, duke thënë se është fatale për Shqipërinë që të shkrihet Ministria e Integrimit, shkruan gazeta “Zëri”.

“Shkrirja e Ministrisë të Integrimit për mua është gabim fatal. Do t’i shërbente anëtarësimit në BE. Ju e dini se negociatat e Kroacisë për të qenë në BE zgjatën nëntë vjet. Ministria e Integrimit do të lehtësonte këtë proces. Të flasësh në këtë podium është vërtetë privilegj. Shqipëria ka paguar një çmim të rëndë për demokracinë. Mosrespektimi i këtij Kuvendi është mosrespekt ndaj atyre që nuk janë sot. Detyra jonë është të ndërtojmë plane mbi parime të besueshme dhe afatgjate. Jam e nderuar që flas sot përpara jush si bija e Azem Hajdarit”, tha ajo.