Lutfi Haziri do që Dobrosini të bëhet pikë kufitare

Aktuale September 15, 2017 - 22:06

Po vazhdojnë takimet mobilizuese në terren të kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ekipit të tij me strukturat e partisë, si parapërgatitje për zgjedhjet e 22 tetorit, njofton dega e kësaj partie në Gjilan.

Takimet sonte janë zhvilluar në Pogragjë, Stublinë e Llovcë.

“Pogragja dhe fshatrat tjerë nuk e ka pasur kujdesin e shtetit në të kaluarën. Jam krenar që gjatë këtij mandati, ne e kemi realizuar pakon familjare dhe katërshen e madhe infrastrukturore. Pra, jemi në përfundim të punëve për këto dhe fshatrat tjerë të komunës sonë. Bashkë do të dalim faqebardhë”, tha Haziri.

Ai tha se do të insistojë me të gjitha kapacitetet e tij që të hapet pika kufitare në Dobrosin, e cila do të jetë një arterie e rëndësishme për banorët atje.

Në fund të takimit u tha se kërkesat e banorëve të kësaj ane do të futen në programin qeverisës, duke ua bërë më të lehtë jetën qytetarëve.

Ndryshe, në takimet mobilizuese po marrin pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Republikës, Lirije Kajtazi, Valentina Bunjaku Rexhepi e Imet Rrahmani, sikurse edhe kandidatët për këshilltarë komunalë.