‘Nëse akuzat ndaj Rikalos janë të sakta, ai s’do të jetë pjesë e Qeverisë’ (VIDEO)

Aktuale September 15, 2017 - 23:05

Nëse akuzat e banorëve të lagjes Dardania të Prishtinës dalin të jenë të sakta që ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka keqtrajtuar banorët e pafajshëm të kësaj lagjeje, atëherë ai do të shkarkohet dhe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka thënë zëvendëskryeministri njëherësh edhe ministër i Diasporës, Dardan Gashi, transmeton “Zeri.info”.

Sipas Gashit, nëse paraprakisht Lista Serbe, i ka informacionet e njëjta me banorët e lagjes Dardania, atëherë vetë kjo parti duhet ta shkarkojë Rikalon.

Por, nëse edhe drejtësia e vërteton që akuzat e banorëve janë të sakta, atëherë Qeveria do e shkarkojë atë.

“ Nuk them se Qeveria po heshtë. Thash nuk e di nëse Lista Srbska i kanë informatat e njëjta me ato të banorëve të Dardanisë. Kishte me qenë mirë që vetë të ndërmarrin masa ndaj kolegut të tyre. Pra, nëse Lista Srbska ka informata, ata do të duhej të parët të merrnin masa dhe ta largojnë vet Rikalon. Nëse ata (Lista Serbe), insistojnë se nuk është e vërtetë, duhet që drejtësia, hetuesia që të merret me këtë punë..... unë kam marrë vet pjesë në protestën për shkarkimin e Jabllanoviqit edhe nëse vërtetohet dhe ne nuk reagojmë do të marrë pjesë edhe në këtë protestë. Nëse vërtetohet se ky zotëriu ka qenë pjesë e maltretimeve, torturimit të qytetarëve të pafajshëm atëherë, natyrisht se nuk ka dilemë që duhet të largohet. Mirëpo, po e them edhe një herë duhet të presim pak, të shohim se mos është ndonjë problem me identitet do të thotë është person tjetër dhe është menduar se është ky apo çkado tjetër. Por definitivisht nëse vërtetohet shumë jam i sigurt që nuk do të mund të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë sonë”, ka thënë Gashi në RTV21.