Demarkacioni me Kosovën, çështje e mbyllur për Malin e Zi

Aktuale September 16, 2017 - 20:28

Demarkacionin e kufirit me Kosovën zyrtarët e Podgoricës në Mal të Zi e cilësojnë si çështje të mbyllur dhe besojnë se do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet të dy palëve.

Ministri i jashtëm malazez, Sergjan Darmanovic, vuri në dukje se beson në kapacitetet demokratike të institucioneve në Kosovë dhe me durim pret zgjidhjen përfundimtare të demarkacionit me Kosovën.

Dermanoviq tha se sa i përket çështjet së demarkacionit nuk do të ‘pretendojmë që të ndikojmë në qëndrimet e Qeverisë kosovare. Ne kemi marrëdhënie të mira me Kosovën dhe nuk kemi dyshimin që këto marrëdhënie të mira do të vazhdojnë’.

Ndërkohë, ministri i Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Aleksandar Pejoviq, e ka ripërsëritur qëndrimin zyrtar të Podgoricës për këtë çështje. Ai tha se Mali i Zi nuk ka kurrfarë problemi sa i përket kësaj marrëveshje. Për këtë arsye, siç tha ai, ka kohë që e ka ratifikuar në parlamentin e saj.

Edhe kryetari i komisionit malazez për shënimin e kufirit Milan Paunovic ka shpreh besimin se situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mal i Zi të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve.

Paunovic ka theksuar se është i bindur se në Kosovë do të gjendet një marrëveshje politike për ratifikimin e marrëveshjes.

Këto reagime pasojnë shkarkimin e komisionit për demarkacion me Malin e Zi nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj dhe partia e tij kanë kundërshtuar nga fillimi demarkacionin me Malin e Zi duke pretenduar se Kosova po humb territor dhe se rishikimi i saj la qenë një nga premtimet e para të kryeministrit të ri para se të marrë detyrën./voa