Thaçi: Marrëveshja me Serbinë, jetike për integrimet e Kosovës

Aktuale September 20, 2017 - 21:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet këto ditë në Nju-Jork, ku po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Mbrëmë, Presidenti Thaçi u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. 

Sipas zyrtares së lartë të BE-së, takimi ishte vazhdim i dialogut mes të dy vendeve me ndërmjetësinë e BE-së për normalizimin tërësor të marrëdhënieve mes tyre.

Zonja Mogherini tha se përparimi i të dy vendeve drejt integrimit evropian është i lidhur ngushtë me përparimin në dialogun mes tyre. 

Zëri i Amerikës ka intervistuar Presidentin Thaçi në Nju-Jork.

Zoti President, kohët e fundit janë intensifikuar komentet si nga Beogradi edhe Prishtina për fazën e re të dialogut. Presidenti i Serbisë është shprehur se “nuk mund t’i fshihemi më realitetit” ndërsa ju para disa ditësh u shprehët për Zërin e Amerikës, se “dua të besoj që do të hapet një faqe e re e dialogut që nënkupton perspektivën e sigurt të Kosovës për t’u integruar në organizatën e OKB-së”. Ministri i jashtëm i Serbisë iu përgjigj komenteve tuaja duke thënë se “Presidenti Thaçi ushqen iluzione, Serbia kurrë nuk do të njohë Kosovën”. Ku e mbështesni ju optimizmin për anëtarësimin e Kosovës në BE-, a ka ndonjë përparim në këtë drejtim dhe kur parashikoni që kjo të ndodhë?

Presidenti Thaçi: Është jetike normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë për ecjen përpara të të dy vendeve në perspektivën evropiane por edhe në perspektivën euro-atlantike për Kosovën, sepse Kosova është e përcaktuar që të jetë pjesë e NATO-s, e Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ne, ka një kohë që të dy vendet jemi në një gjendje status quo-je, prandaj kemi menduar që është jetike në këtë moment ,nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini dhe mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të fillojë një fazë e re e dialogut. Një dialog që mund të them që do të sjellë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e plotë dhe pajtim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të krijonte një mundësi që me të vërtetë Serbia ta njohë realitetin në Kosovë, siç ka deklaruar edhe vet presidenti Vuçiç, por edhe Kosova të vazhdojë në perspektivën e saj të anëtarësimit sa më të shpejtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj, një marrëveshje mes dy vendeve tona me udhëheqjen e Bashkimit Evropian, mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më tepër paqe, stabilitet dhe fqinjësi e mirë jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe mbrëmë në takimin që zhvilluam në zyrat e BE-së këtu në New York, nën udhëheqjen e zonjës Mogrehini, u konfirmua se ne duhet të lëvizim më shpejt në një proces më dinamik dhe me shpresë se ky proces do të përmbyllet me një marrëveshje finale, që do të nënkuptonte njohje të realiteteve të ndërsjella dhe perspektivë të sigurt të të dy vendeve për perspektivën evropiane. Por, e ritheksoj edhe për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ky është edhe synimi ynë.