Haradinaj 'bllokohet në kufi'

Aktuale September 28, 2017 - 07:58

Kryeministri Haradinaj vështirë se do të mundë të arrijë një marrëveshje të re për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Zyrtarët malazezë kanë deklaruar ditë më parë se demarkacioni me Kosovën për ta është punë e kryer, përderisa diplomatët ndërkombëtarë thonë se Kosova s’mund ta detyrojë shtetin fqinj ta dërgojë Marrëveshjen për Demarkacion në Arbitrazh, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mali i Zi dhe aleatët ndërkombëtarë nuk po i japin shpresë palës kosovare për një marrëveshje të re për shënjimin e kufirit mes dy vendeve apo për dërgimin e Demarkacionit në Arbitrazh Ndërkombëtar.

Gjatë vizitës së fundit të kryediplomatit kosovar në Podgoricë Behgjet Pacollit, zyrtarët e lartë shtetërorë malazezë i thanë këtij se demarkacioni mes dy vendeve për ta është punë e kryer, pavarësisht se shefi i diplomacisë vendore kërkonte mirëkuptim nga pala tjetër.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit të djeshëm me shefin e Qeverisë kosovare, Ramush Haradinaj, në Tiranë, i ka bërë ftesë ekzekutivit në vend që ta zgjidhë sa më shpejt çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, pasi që, siç tha ai, kjo çështje po ngrin raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka deklaruar dje se Kosova s’mund ta detyrojë Malin e Zi që Marrëveshjen e Demarkacionit ta dërgojë në Arbitrazh Ndërkombëtar pasi për një veprim të tillë duhet pajtimi i të dyja palëve me vlerësim ndërkombëtar.

Rama Haradinajt: Zgjidhe çështjen e demarkacionit!

“Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më parë e këtij problemi, i cili është kthyer në një ngërç në marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Natyrisht ka një proces të natyrshëm fiziologjik nga opozita në Qeveri, kështu që kryeministri kërkon edhe pak kohë për t’u ndarë nga pozicioni opozitar ndaj këtij problem. Nuk do të doja kryeministri Haradinaj të kalonte si opozitar për një çështje të cilën e ka përkrahur më herët”, ka thënë ai.

Më tutje Rama ka thënë se sa i përket marrëdhënieve me Malin e Zi, ky shtet është një vend mik me të cilin shqiptarët kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

Por kryeministri Haradinaj bëri me dije se akoma nuk ka një ide të qartë rreth zgjidhjes së çështjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ai gjatë ditës së djeshme ka thënë se komisioni i ri është duke u marrë me të gjeturat e fundit rreth kësaj marrëveshjeje dhe kur të kenë diçka konkrete do t’i drejtohen edhe Malit të Zi. Mirëpo po ashtu ka bërë me dije se kjo marrëveshje është çështje e përfunduar për shtetin malazez.

Ndërkaq ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connel, ka thënë se Kosova duhet t’i plotësojë kushtet e parashtruara nga Grupi i Shengenit dhe se nuk mund ta detyrojë Malin e Zi që çështja të shkojë në Arbitrazh pasi marrëveshja tashmë është nënshkruar.

“Po e them përsëri që çështja e demarkacionit është çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe është Grupi i Shengenit e jo Bashkimi Evropian që ka dhënë kusht për liberalizimin e vizave. Britania nuk është pjesë e Grupit të Shengenit, por kur dikush parashtron procesin teknik me kushte për të arritur diçka, mendoj që reagimi më i mirë është plotësimi i atyre kushteve. Për Arbitrazhin, le të kuptojmë se nuk është diçka që mund të kërkohet apo të detyrohet Mali i Zi që të shkojë në Arbitrazh. Ata kanë nënshkruar marrëveshje me Kosovën dhe në çdo vlerësim ndërkombëtar teknik ka thënë që nuk ka pasur gabime”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit britanik.

Selimi: Haradinaj të përmbushë premtimin për demarkacionin

Lëvizja “Vetëvendosje” pret nga kryeministri Haradinaj që ta përmbushë premtimin e tij për demarkacionin me Malin e Zi. Kështu ka bërë të ditur deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi, i cili tha se nuk presim më shumë sesa ka premtuar në kohën kur ishte në opozitë.

“Ne presim asgjë më pak dhe asgjë më shumë sesa z. Haradinaj në postin e kryeministrit t’i jetësojë ato çfarë i ka thënë për demarkacionin në kohën kur ka qenë në protesta dhe në opozitë”, ka thënë Selimi për “Zërin”.

Më tutje ai tha se Haradinaj ani pse është kryeministër nuk mund të veprojë sipas dëshirave të tij.

“Mbajtja e pozicioneve udhëheqëse shtetërore nuk nënkupton një pozicion ku mund të veprojë sipas dëshirave. Pozicionet e larta shtetërore kanë detyrime kushtetuese, të cilat udhëheqësit e lartë do t’i zbatojnë. Nuk është kjo në dëshirën e secilit udhëheqës, por është detyrë kushtetuese”, ka thënë ai.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, ka thënë për “Zërin” se nëse kryeministri Haradinaj nuk e përmbush premtimin e tij për demarkacionin, duhet të kërkojë falje.

“Ne si LDK kemi pasur versionin tonë dhe propozimet tona, ndërsa kjo Qeveri ka fituar votat duke u bazuar në kundërshtim me propozimet tona dhe tani ne nuk kemi ndonjë propozim tjetër, por po presim z. Haradinajn se çfarë po na ofron dhe se a do ta realizojë premtimin që kufiri do të jetë në Çakorr. E në qoftë se nuk e bën, ai është i obliguar që t’u kërkojë falje qytetarëve që i ka gënjyer dhe pastaj duhet të diskutojmë se në këto çështje nuk merren vendime personale. Ne si LDK duhet të bisedojmë pastaj për këtë çështje”, ka thënë ajo.

Ismaili: Përpjekjet e Haradinajt, të kota

Ndërsa Dashnim Ismaili, profesor universitar, ka thënë se Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk ka kthim prapa. Sipas tij, përpjekjet e Haradinajt janë të kota.

“Mendoj se çështja e demarkacionit nuk ka një përfundim ndryshe pos të atij që ka dhënë komisioni paraprak, d.m.th. një marrëveshje e tillë është përkrahur fuqishëm edhe nga NATO-ja, edhe nga qarqet tjera ndërkombëtare. Këmbëngulësia e z. Haradinajt nuk do të jetë e qëndrueshme për një afat të gjatë kohor, tashmë edhe Mali i Zi e ka bërë të qartë se kthim prapa nuk do të ketë”, tha ai.

Ismaili tha se partitë politike që stopuan dhe neglizhuan proceset e shtetit të Kosovës me vite duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për dëmin e shkaktuar, dëm ky që kërkon kohë të riparohet sidomos në çështjet integruese.