Reagon Qeveria: Agresion i pashembullt i Frashër Krasniqit ndaj Milaim Zekës

Aktuale September 29, 2017 - 21:02

Qeveria e Kosovës me anë të një komunikate e ka dënuar rrahjen ndërmjet deputetit të VV-së, Frashër Krasniqi dhe atij të Nismës, Milaim Zeka.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeveria që ai drejton e kanë pritë me shqetësim incidentin që ndodhi në studion e TV Klanit, mes deputetëve Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka. Qeveria e dënon ashpër këtë akt të shëmtuar i cili ashiqare dëshmoi agresionin e pashembullt të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje!, Frashër Krasniqi ndaj Milaim Zekës, poashtu deputet i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në kumtesën nga Zyra e kryeministrit.

LEXO EDHE: Ja momenti i përleshjes së Frashër Krasniqit e Milaim Zekës

Haradinaj i ka bërë thirrje qytetarëve dhe deputtëve që të kursehen nga diskursi i dhunshëm.

“Kryeministri Haradinaj fton të gjithë qytetarët e vendit, e veçmas zyrtarët e shtetit, përkatësisht përfaqësuesit e popullit, që të kursehen nga përdorimi i diskursit të dhunshëm, njëherësh të debatojnë në mënyrë të qytetëruar për të gjitha çështjet, duke shmangur dhunën dhe agresionin.Qeveria e Kosovës u bën thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast në mënyrë meritore, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të paanshme”, thuhet në komunikatë.

Frashër Krasniqi dhe Milaim Zeka pas një debati të ashpër në Klan Kosova, eskaluan në dhunë duke shkëmbyer grushte.