Prokuroria deklarohet për rastin e Vllasit – A janë edhe tre persona të Vetëvendosjes?
Janë bërë gati 5 muaj që kur avokati i njohur kosovar, Azem Vllasi u plagos me armë zjarri në banesën e tij.
Deri më tani organet e drejtësisë në vend kanë arrestuar Murat Jasharin i cili ishte personi kryesor i “Syrit të Popullit” organizatës që kishte planifikuar të merrej me vrasje politike.
Mirëpo, i dëmtuari në këtë rast Azem Vllasi po pretendon se në këtë atentat kanë ‘gisht’ edhe persona të tjerë. Ai deklaroi se të përfshirë përpos anëtarit të VV-së, Sadri Ramabaja, janë edhe disa të tjerë nga Vetëvendosja.
I kontaktuar nga ‘Indeksonline’, kryeprokurori i prokurorisë speciale, Reshat Millaku nuk ka dashur të jap shumë detaje rreth këtij sulmi.
Mirëpo, ai thotë se prokurori i rastit ka vazhduar hetime të reja për sulmin ndaj Vllasit.
“Për sulmin e avokatit, Azem Vllasi është vërtetuar tashmë se e ka plagosur, Murat Jashari. Por, prokurori i këtij rasti ka nisur hetimet të reja për të dyshuar tjetër”, ka thënë Millaku.
Ndryshe, i dëmtuari në këtë rast, Vllasi tha se është në dijeni se në sulmin ndaj tij janë të përfshirë anëtarë të partisë së Visar Ymerit.
Sipas tij, dy ditë para se të ndodhte rasti, njëri nga ta edhe i ka telefonuar pasi që e njihte dhe po i njëjti është i dyshuar.
“Unë e kam marr vesh se më së paku tre persona të Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të involvuar dhe i kanë ndihmuar këtij personi që më ka ardhur në derë. Me njërin u thirr vet ai, tha më ka dërguar filani i cili dy ditë përpara më patë thirr në telefon sepse e njoh.
Ai është i Vetëvendosjes, ndërkaq ky tjetri Sadri Ramabaja është poashtu i Vetëvendosjes, kurse emri i personit të tretë nuk e di”, ka treguar ai në një bisedë për Indeksonline.