“Bashkimi Evropian të kthjellet, Serbia po e vazhdon qeverisjen e Millosheviqit”

Aktuale October 06, 2017 - 21:11

Serbia po vazhdon të tregohet aktive në pengimin e Kosovës drejt rrugës së saj integruese, ndonëse është paralajmëruar faza përfundimtare e dialogut në Bruksel.

Pas lobimit kundër Kosovës në UNESCO, pastaj në INTERPOL, sot Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar se do t`i dërgojë letër 22 shteteve të Bashkimit Evropian që të rishqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këto përpjekje anti-Kosovë që po vinë nga udhëheqësit e shtetit serb, po shihen si vazhdimësi e qeverisjes së Millosheviqit.

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike ka thënë për “Indeksonline” se tentimi i Serbisë për ta penguar Kosovën, tregon mos sinqeritetin që ky shtet po tregon në dialog.

 

“E konsideroj si një vazhdimësi e pandërprerë e Beogradit drejt pengimit të Kosovës në çdo mënyrë, duke mos pasur asnjëherë qëllim të sinqertë në dialog, si ky propozimi ashtu edhe përpjekjet në INTERPOL dhe në UNESCO, edhe në organizatat e OKB-së, Këshillit të Sigurimit, tregon se Serbia nuk ka ndryshuar fare. Tregon se regjimi dhe qeverisja atje është vazhdimësi e planeve të Millosheviqit dhe mentalitetit të Millosheviqit, pra ekspanzionist, shovenist, anti-Kosovë dhe anti-shqiptar në përgjithësi, pa dallim”, ka thënë ai.

Baraliu ka deklaruar se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare duhet të shohin qartë veprimet e Serbisë dhe të kuptojnë se ky shtet nuk ka qëllime miqësore me Kosovën.

Përkundrazi, ka thënë ai, BE duhet ta kuptojë sa jo-demokratik po tregohet shteti serb.

“Loja e fundit tregon se duhet të këndellet edhe Bashkimi Evropian, gjitha institucionet e tij dhe shtetet anëtare, ato që e kanë njohur dhe nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të këndellen një herë e mirë dhe të kuptojnë se Serbia nuk është duke dashur që të jetë as në strukturat e Evropës, dhe as në të NATO-s dhe se ajo ka qëllime jo miqësore ndaj Kosovës.  Këta tregojnë edhe qëllimin e tyre jo demokratike, jo evropiane, anti fqinjësi të mirë dhe anti-Kosovë”, është shprehur ai për “Indeksonline”.

Kujtojmë se në Kataluni ditët e fundit ka pasur protesta të shumta meqë ky vend ka kërkuar pavarësinë nga Spanja. Këtë rast, Serbia po e konsideron të njëjtë me Kosovën. por, ishte pikërisht Brukseli ai që kishte reaguar dhe ishte përgjigjur se Kosova dhe Katalunia janë raste krejt të kundërta me njëra-tjetrën.