Milaim Zeka: Kadri Veseli më paralajmëroi se VV mund të më sulmonte fizikisht

Aktuale October 06, 2017 - 22:10

Milaim Zeka thotë se ishte paralajmëruar se Vetëvendosje po përgatiste një sulm fizik kundër tij.

Deputeti i Nismës për Kosovën Milaim Zeka thotë se ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ai që i kishte thënë se se mund të goditej fizikisht nga VV.

Veselii i kishte kërkuar Zekës që të mos shëtitej vetëm korridoreve të parlamentit, pasi informacionet e tij ishin se deputeti i Nismës mund të goditej brenda parlamentit.

“Më thirri kryetari i Parlamentit një ditë në zyrën e tij, Kadri Veseli dhe më tha se ka informacione që janë duke u përgatitur me të godit fizikisht. Ai kishte dëgju se do të më godasin brenda parlamentit dhe më tha mos shëtit brenda parlamentit i vetmuar”, tha Zeka në emisionin ‘Zonë e Lirë’ në televizionin Klan.

Zeka tregon se i gjithë problemi mes tij dhe Vetëvendosjes nisi 10 ditë para se ai të sulmohej në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku Zeka kishte një debat të ashpër me zyrtarë të Vetëvendosjes.

Deputeti i VV-së Frashër Krasniqi goditi Zekën derisa po debatonin drejtpërdrejt në një debat televiziv.