Qehaja: Për keqardhje që SBASHK-u ka reaguar tani

Aktuale January 17, 2019 - 14:26
Lexoni detajet

Sot është dita e katërt e grevës së institucioneve publike arsimore në Kosovë, ndërsa krerët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit paralajmërojnë se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Ata kërkojnë rritjen e koeficientit të pagave të tyre për 30 për qind. Kurse, sipas njohësve të kësaj fushe, me ngritjen e këtij koeficienti pagat e mësimdhënësve në Kosovë do të ishin më të lartat në rajon, përderisa vlerësojnë se cilësia e arsimit në vend nuk është e nivelit të rajonit, shkruan gazeta "Zëri". 

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, e ka vlerësuar si të papranueshme grevën e mësimdhënësve.

“Në një situatë të rritjeve të pagave në sektorë të tjerë qeveritarë, në shthurje me kufizimet buxhetore, reagimi nga SBASHK-u nuk duket i çuditeshim, sado që pengimi në proces të mësimdhënies është i papranueshëm. Kjo grevë si e tillë ka ngritur shqetësimin e kamotshëm të prindërve në veçanti për domosdoshmërinë e llogaridhënies për cilësi në mësimdhënie po ashtu”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Paga të larta, cilësi e ulët

Qehaja ka thënë se është për keqardhje që Sindikata nuk ka reaguar më herët.

“Shpërndarja e koeficienteve në Projektligjin e Punës pa marrë parasysh kompleksitetin e vërtetë të shumë profesioneve jobefasishëm ka sjellë një reagim të tillë nga SBASHK-u dhe sektorë të tjerë. Është për keqardhje që reagimi sindikal ka ardhur vetëm tash para leximit të dytë të ligjit dhe ata me ndërprerje të procesit mësimor, aq më shumë kur dihet që ky projektligj është në diskutim për muaj me radhë”, ka thënë ai./ZERI