Zgjedhjet në LDK dhe në PDK, nën ethet e përçarjeve

Zgjedhjet në LDK dhe në PDK, nën ethet e përçarjeve

Aktuale March 21, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Dy partitë më të mëdha parlamentare, LDK-ja dhe PDK-ja, kanë nisur procesin e brendshëm zgjedhor, i cili po karakterizohet me pakënaqësi dhe me përçarje nëpër degë partiake, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Procesi zgjedhor në partinë e Kadri Veselit (PDK) është raportuar se ka nisur me pakënaqësi në degën e Gjilanit, të Istogut dhe të Skenderajt, përderisa në LDK kanë filluar polemikat mes kandidatëve potencialë për kryetar të partisë.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka mohuar për “Zërin” se në zgjedhjet e brendshme të partisë së tij ka përplasje ose pakënaqësi. Reçica i ka quajtur këto zgjedhje si demokratike dhe të rregullta. “PDK-ja është në zgjedhje të brendshme, ato janë duke u zhvilluar në bazë të programit tonë dhe janë duke u zhvilluar me intensitetin më të madh të mundshëm. Patjetër se brenda zgjedhjeve ka një garë, e cila është duke u zhvilluar dhe deri më tash kemi përmbyllur mbi 50% të zgjedhjeve në nëndegë e në 14 degë janë përmbyllur ato dhe janë zgjedhur kryetarët”, ka theksuar ai.

Ndërkohë duke i komentuar përplasjet mes anëtarëve të degëve në Gjilan e në Skenderaj, Reçica ka thënë se këto përplasje nuk kanë qenë serioze. “Nuk kanë qenë probleme serioze. Në Gjilan nuk ka pasur përplasje, as në Skenderaj, por ka qenë situata për të cilën nuk ia ka vlejtur ne të merremi me to. Nuk ka ndonjë përplasje ose ndonjë konflikt, ka një konkurrencë, vullnet dhe dëshirë të kandidatëve që të jenë sa më të mbështetur dhe sa më mirë të pozicionuar. Zgjedhjet janë duke u zhvilluar në një frymë demokratike dhe në një garë të vërtetë”, ka potencuar Reçica.

Mustafa: LDK-ja, unike në zgjedhje
 

Kurse lideri aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur dje lidhur me zgjedhjet e brendshme partiake teksa nuk ka qartësuar nëse do të jetë ai sërish kandidat për të parin e LDK-së, porse ka thënë se kjo parti do të këtë së paku dy kandidatë. Kreu i LDK-së ka theksuar se deri më tani nuk ka asnjë kandidim zyrtar për të parin e partisë, mirëpo për një gjë të tillë ai ka thënë se mund të kandidoj secili që merr 50 për qind +1 prej votave të përgjithshme të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së. “Në këtë fazë jemi në përgatitjen e degëve. Nuk mund të flas as për vete, as për Lutën e as për Vjosën. Si LDK do të ofrojmë hapësirë për të gjithë. Ajo çfarë mund të them, LDK-ja është unike. Ambicie mund të ketë çdokush, ato janë legjitime. Kryetari i LDK-së do të zgjidhet në bazë të statutit. Ka për të hyrë në garë, ka për të marrë përkrahje nëse e merr gjysmën e Kuvendit, 50+1 dhe nëse e merr hyn në garë me votë të fshehtë”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë i pari i LDK-së i ka cilësuar si korrekte zgjedhjet e fundit të kësaj partie, ku nga gara u largua kundërkandidatja e tij, Vjosa Osmani.


Mushkolaj: Zgjedhjet në LDK mund të sjellin përçarje të reja

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj për “Zërin” ka thënë se zgjedhjet e brendshme të partisë opozitare LDK-së mund t’i sjellin përçarje të mëdha brenda kësaj partie, për shkak të interesit të madh për kolltukun e kryetarit. “Natyrisht se ka përçarje në këtë parti dhe do të ketë edhe më shumë ditëve në vijim. Unë pres që gara në LDK do të jetë e fortë, gjithmonë duke e pasur parasysh se z. Mustafa është në krye të kësaj partie, por edhe sa i përket aspektit shëndetësor ai nuk është në gjendje shumë të mirë që ta drejtojë partinë. Në anën tjetër ka edhe ambicie të njerëzve të cilët kanë kontribuuar qe një kohë të gjatë dhe është logjike se edhe ata do të kandidojnë”, ka thënë ai.

Ndërkohë ai vlerëson se nëse LDK-ja vazhdon me përçarje për udhëheqësin e partisë, siç ka ndodhur në të kaluarën, atëherë kjo gjë do të shkojë në favor të partive të tjera. “Gjithçka që ndodh brenda LDK-së do të ndikojë për të mirën ose për të keqen e partisë, kështu që një proces zgjedhor jopërçarës dhe korrekt do t’i bënte mirë partisë. Ndërkohë që nëse partia përçahet për shkak të liderit partiak, atëherë kjo do të shkojë në favor të partive tjera”, ka theksuar Mushkolaj.

Veseli do të bëjë çmos ta vazhdojë udhëheqjen e PDK-së

Ndërsa duke folur për zgjedhjet e brendshme të partisë në pushtet, PDK-së, Mushkolaj ka thënë se kjo parti di t’i menaxhojë më mirë situatat e përplasjeve, ndonëse të tilla ka pasur edhe në këtë proces zgjedhor. Sipas tij, lideri aktual i kësaj partie Kadri Veseli do të bëjë çmos të jetë kryetar edhe për një mandat. “PDK-ja ka ditur më mirë t’i mbulojë në vazhdimësi këto përçarje që i ka pasur. Ka ditur më mirë ‘t’i rehatojë’ nëse mund të them ashtu pakënaqësitë brenda partisë. Ndryshe prej LDK-së, te PDK-ja nuk shoh probleme sa i përket asaj që z. Veseli do të zgjidhet përsëri kryetar i partisë, për shkak se deri më tani nuk kemi parë që ka kandidatura tjera ose nuk janë bërë publike, por natyrisht që z. Veselit i duhet më shumë konsolidim të pozicionit që e ka”, ka potencuar ai.

Ndërrimi i strukturave në LDK e në PDK përcakton fatin e tyre

Kurse Rasim Alija, nga Instituti Demokracia për Zhvillim, duke i komentuar zgjedhjet në PDK dhe në LDK ka thënë se varësisht se si rrjedhin këto zgjedhje do të përcaktohet edhe e ardhmja e këtyre dy partive. Sipas tij, nëse LDK-ja i menaxhon siç duhet këto zgjedhje, atëherë ajo do të rikthehet fuqishëm në skenën politike. “LDK-ja është në pikën ku mënyra e zgjedhjeve të brendshme do të jetë përcaktuese për fatin e kësaj partie dhe nëse ajo arrin ta menaxhojë në mënyrë demokratike procesin e zgjedhjeve dhe si rezultat të ketë një udhëheqës i cili është vullnet i vet strukturave e jo i pazareve ndërmjet klaneve brenda LDK-së do arrijë edhe t’i mbijetojë një përsëritjeje të Kuvendit të karrigeve, por edhe ta bëjë diferencën me subjektet tjera politike, rrjedhimisht të kemi një rikthim të LDK-së me rezultate zgjedhore të viteve 2005 - 2007”, ka thënë Alija për “Zërin”.

Ndërsa duke folur për PDK-në, Alija ka vlerësuar se kjo parti ka mbetur e pareformuar qysh nga koha kur Hashim Thaçi e ka udhëhequr atë, gjë që sipas tij do të shkaktojë përçarje në këtë parti. “PDK-ja po e vuan sindromën e ndërrimit të liderit. Strukturat e PDK-së kanë qenë të pandryshuara që nga koha e Thaçit. Ndërrimi i këtyre strukturave dhe i reformave nga Veseli është i pritshëm të shkaktojë pakënaqësi e rrjedhimisht edhe përçarje. Zgjedhjet në PDK do të vazhdojnë të prodhojnë edhe më tutje pakënaqësi. Kjo është kostoja e ndërrimit të liderit dhe procesi i moskapjes nga trashëgimia e Thaçit”, ka thënë ndër të tjera ai./ZËRI