Sqarohet MIE pas reagimit të ambasadorit britanik: Kemi përdorur  ‘shabllon’ të komunikatës të pakonfirmuar nga ambasada britanike

Sqarohet MIE pas reagimit të ambasadorit britanik: Kemi përdorur ‘shabllon’ të komunikatës të pakonfirmuar nga ambasada britanike

Aktuale August 14, 2019 - 16:20
Lexo Detajet

Pas reagimit të Ambasadorit britanik në Kosovë Ruari O’Connell, se Ministria e Integrimeve Evropiane kishte dërguar komunikatë ku ishin thënë të pavërteta lidhur me takimin që O’Connell kishte zhvilluar me Ministren në largim Dhurata Hoxha, ky dikaster është sqaruar dhe ka shprehur keqardhje.

Ministria e Integrimeve Evropiane është arsyetuar duke thënë se “versioni i parë i kumtesës kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar”.

Tutje ata kanë dërguar versionin e dytë të komunikatës për media lidhur me takimi O’Connel-Hoxha.

Kësaj radhe qëndrimet e ambasadorit britanik u zëvendësuan me një paragraf tjetër.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, vlerësoi që Kosova është në një udhëkryq dhe duhet të ndërmerren hapa për të ecur përpara. Luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit mbetet i rëndësishëm, si dhe nxitja e një kulture të proceseve
transparente të rekrutimit brenda shërbimit civil
” – shkëputur nga komunikata e përmirësuar e MIE-së.

Versioni paraprak ishte ndryshe.

Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë” –  shkëputur nga komunikata e dërguar nga MIE.

Në reagimin e tij O’Connell ka theksuar se Marrëveshja për Stabilizim Asocimin dhe të drejtat e njeriut nuk ishin fare temë diskutimi në takimin e lartëpërmendur dhe se nuk ka ofruar ndonjë vlerësim.

“Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam këtë gjë. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë kritike dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofrova asnjë vlerësim për punën e institucioneve” ka shkruajtur Ruari O’Conell në Facebook.

Ruari O’Connell i ashpër me Ministrinë e Integrimeve Evropiane: Mos folni në emrin tim

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Ministrja Hoxha falënderon Ambasadorin Ruairí O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit e nepotizmit

Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí  O’Connell, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm, të cilin Ministrja e vlerësoi lartë dhe shumë të dobishëm.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit, e nepotizmit, duke potencuar se miqësia dhe përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar, është vlerë e qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës.

“Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar dhe diplomacisë së saj, zë vend të jashtëzakonshëm në historinë e re të vendit tonë, andaj, vlerat e kësaj miqësie, vetëm sa rriten. Përkrahja e vazhdueshme që vije nga ky vend i madh, ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj, andaj, edhe puna juaj, z. Ambasador, do vlerësuar lartë dhe e çmojmë shumë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar fuqishëm pranë sfidave të shtetndërtimit të institucioneve tona.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, vlerësoi që Kosova është në një udhëkryq dhe duhet të ndërmerren hapa për të ecur përpara. Luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit mbetet i rëndësishëm, si dhe nxitja e një kulture të proceseve transparente të rekrutimit brenda shërbimit civil.