Droja e shndërrimit të dialogut në format të rrezikshëm

Droja e shndërrimit të dialogut në format të rrezikshëm

Aktuale September 20, 2019 - 07:55
Detajet
Image

Kombinimet e niveleve të larta në dialogun Kosovë - Serbi mund ta kalojnë këtë proces nga një dialog me ndërmjetësues në një çështje për konferencë ndërkombëtare. Madje një format i tillë, i cili do të mundë ta përfshinte SHBA-në, Rusinë, Gjermaninë e Francën, vlerësohet se mund ta rivendosë në diskutim statusin e Kosovës dhe mund ta përsërisë një Vjenë të dytë, shkruan sot Gazeta 'Zëri'. 

Faza finale e dialogut Kosovë – Serbi, e udhëhequr deri më tani nga Bashkimi Evropian, ka gati një vit prejse ka ngecur. Ndërmjetësimi i këtij procesi nga Brukseli zyrtar vazhdon të mos sjellë rezultate konkrete tash e 8 vjet.

Por për t’i ofruar një zgjidhje sa më të shpejtë, së fundmi Gjermania e Franca kanë kërkuar që në bisedimet e Kosovës me Serbinë të kenë një përfaqësues të veçantë.

Madje ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë emëruar Matthew Palmerin si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, gjë e cila po shihet si përpjekje për përfshirje gati direkte të Amerikës në procesin e dialogut.

Me inkuadrimin e mundshëm të Amerikës në negociatat Kosovë – Serbi vlerësohet se do të bëhej e pashmangshme përfshirja edhe e Rusisë në bisedime.

Mirëpo, për njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane një përfshirje kaq e madhe e shteteve nga dialogu me ndërmjetësues mund të kalojë në një çështje, e cila do të bëhej temë për konferencë ndërkombëtare.

Madje konsiderohet se ka rrezik që me këtë lloj formati të përsëritet një Vjenë e dytë. Në këtë linjë një konferencë e tillë ndërkombëtare konsiderohet të jetë e rrezikshme për Kosovën dhe për statusin e saj.

Formati i dialogut me shumë shtete hap çështjen e statusit të Kosovës

Nezir Kraki, ligjërues i politikave të BE-së në Universitetin e Parisit, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se nuk beson se do të ketë përfshirje të SHBA-së e të disa shteteve të BE-së në procesin e dialogut.

“Nuk pres diçka konkrete në këtë proces. Është krijuar paqartësi e madhe nga temat e nëntemat që e ngadalësuan dialogun deri në bllokim. Më duket jorealiste pritja e disave në Prishtinë se do të ketë përfshirje aktive amerikane, gjermane dhe franceze. Momentalisht janë vetëm shprehje vullneti për një mbyllje të shpejtë të këtij procesi”, ka potencuar ai.

Mirëpo ai thekson se në një format të tillë të përfshirjes së superfuqive në dialog Kosova mund të rrezikojë që statusi i saj të vihet në diskutim.

“Mendoj se Kosova nuk duhet të pranojë të futet në kombinime të niveleve të larta, sepse kjo do të vuloste dyshimin ndërkombëtar mbi shtetësinë e saj dhe mbi formën e statusit aktual. Sa më i lartë të jetë niveli politik i dialogut, aq më i lartë është rreziku për ridiskutimin e statusit të Kosovës”, ka deklaruar Kraki.

Përfshirja e pesë fuqive në dialog sjell një Vjenë të dytë

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve integruese Arben Fetoshi ka theksuar se me përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut mund të përfshihet pashmangshëm edhe Rusia, gjë që do të mundë të sillte një Vjenë të dytë.

“Në qoftë se pas SHBA-së edhe fuqitë kryesore evropiane do të emërojnë të dërguar të posaçëm për dialogun, kjo jo vetëm që do ta bënte të pashmangshme përfshirjen edhe të Rusisë, por po ashtu do ta ndryshonte formatin në një tip ‘Vjene 2’, duke e defaktorizuar BE-në si fuqi diplomatike”, ka thënë Fetoshi.

Në një prononcim për “Zërin” Fetoshi ka theksuar se nëse procesi i dialogut nuk përmbyllet sa më shpejt dhe pa ndërhyrjen e Rusisë, atëherë fundi mund të jetë i dhimbshëm. Kësisoj ai është shprehur se kalimin e dialogut me ndërmjetësues në një konferencë ndërkombëtare mund ta shmangë vetëm mospërfshirja e këtyre shteteve në dialog.

“Demantimi i paralajmërimeve gjermane për emërimin e të dërguarit të posaçëm mund ta shmangë një zhvendosje të çështjes nga ndërmjetësimi ndërkombëtar te konferenca ndërkombëtare. Dialogu i deritashëm ka nevojë të riformatohet në kuptim të përmbylljes sa më të shpejtë me një marrëveshje, por jo duke e përfshirë Rusinë si faktor. Në të kundërtën, mendoj se do të shtohet rreziku nga një kompromis i dhimbshëm ose sakrificë e të dyja palëve, siç po përmendet gjithnjë e më shpesh”, ka thënë ai.

Muja: Ndërhyrja e SHBA-së në dialog është esenciale

Për njohësin e zhvillimeve politike, Armend Muja, përkushtimi i SHBA-së në këtë proces është esencial dhe shumë i rëndësishëm që epilogu i dialogut të jetë me njohje të ndërsjellë.

“Nominimi i përfaqësuesit special Palmer shënon një përkushtim të ri të SHBA-së për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palmer dhe Departamenti i Shtetit ia kanë bërë të qartë Serbisë dhe Kosovës që dialogu bëhet për arritje të njohjes së ndërsjellë. Përkushtimin e SHBA-së dhe të BE-së e shoh esencial dhe të rëndësishëm. Kosova është para kësaj zgjidhjeje: të hyjë në dialog për arritje të një marrëveshjeje, por me lëshime (me gjasë rreth Asociacionit). Viti në vijim do të jetë vendimtar”, ka thënë Muja.

Muja thekson se një format i tillë, që do të mundë të çonte deri në konferencë ndërkombëtare, do të duhej të refuzohej nga Kosova.

“Arritja deri në një konferencë ndërkombëtare do të nënkuptonte rihapje të statusit në tërësi dhe nuk është opsion i pranueshëm. Andaj kërkohet format që analizon rrjedhën e deritanishme, afatizon arritjen e marrëveshjes dhe ka mekanizma garantues për zbatim”, ka përfunduar ai.