Thaçi thotë se vitin tjetër në Kosovë do të hapet ambasada e Japonisë

Thaçi thotë se vitin tjetër në Kosovë do të hapet ambasada e Japonisë

Aktuale October 21, 2019 - 15:08
Detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.

Gjatë ditës së sotme presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot është takuar me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm në Kosovë do të hapet ambasada e Japonisë, përcjell lajmi.net.

Tutje, Thaçi ka thënë se Kosova dhe Japonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera pasi që sipas tij, të dy shtetet kanë bërë përparim në bashkëpunimin ndërshtetëror, pavarësisht largësisë gjeografike.

Ky takim mes Thaçit e Abe-s është realizuar në Tokio me rastin e kurorëzimit të perandorit Naruhito.

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

Pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin Abe të Japonisë dhe të konfirmojmë të dy se vendet tona kanë marrëdhënie të shkëlqyera, pasi që kemi bërë përparim në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror.

Në fillim të këtij muaji është mbajtur një takim i suksesshëm në mes bizneseve të Kosovës, Japonisë dhe Austrisë në Vjenë, kurse muajin tjetër në Kosovë do ta kemi Javën e Kulturës Japoneze.

Ndërsa, në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet edhe Ambasada e Japonisë në Prishtinë.

Largësia gjeografike nuk na pengon të jemi partnerë strategjikë me Japoninë dhe të ndajmë vlera, parime dhe synime për një botë të lirë, demokratike e prosperuese.