Deliu-Kodra: Korrupsioni është bërë mjeti kryesor i kësaj qeverie
Foto: Laura Hasani

Deliu-Kodra: Korrupsioni është bërë mjeti kryesor i kësaj qeverie

Aktuale March 28, 2024 - 11:25

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se është e rëndësishme që deputetët e Kuvendit të themelojnë komisionin hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

Deliu-Kodra ka kritikuar qeverinë duke thënë se korrupsioni është bërë mjeti kryesor i tyre.

“Se korrupsioni është bërë mjet kryesor i kësaj qeverie e kemi thënë edhe dy vjet më parë kur si Parti Demokratike e Kosovës kemi denoncuar me fakte, kemi denoncuar me argumente, keqpërdorimet në ministrinë e infrastrukturës”, tha Deliu-Kodra, raporton Zeri.info.

Sipas saj kontratat njëburimore janë bërë standard i rregullt i qeverisë në pushtet dhe ministrive të saj.

“Kontratat njëburimore janë bërë standard i rregullt janë bërë standard i përditshëm i kësaj qeverie dhe ministrave të saj, raporti për vendin thotë se për gjatë vitit 2022, 21.8% e kontratave apo 78,5 milion euro janë nënshkruar me negocim të drejtpërdrejtë pa publikim e pa njoftim për kontratë”, është shprehur tutje deputetja.

Derisa sipas saj në gjashtë ministri dhe në KEK janë nënshkruar 220 kontrata të cilat kapin vlerën rreth 200 milion euro vetëm për periudhën janar 2022 dhe janar 2024.

“Në 6 ministri dhe në KEK janë nënshkruar 220 kontrata të cilat kapin vlerën rreth 200 milion euro vetëm për periudhën janar 2022 dhe janar 2024”, deklaroi Deliu-Kodra. /Zëri