IKSHPK: Regjistrohen tetë raste të “Kollës së Mirë” në Kosovë, prindërit t’i vaksinojnë fëmijët
Foto: Laura Hasani

IKSHPK: Regjistrohen tetë raste të “Kollës së Mirë” në Kosovë, prindërit t’i vaksinojnë fëmijët

Aktuale March 29, 2024 - 12:59

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në tre muajt e parë të vitit 2024 janë konfirmuar tetë raste të “Kollës së Mirë” (Pertussis).

IKSHPK-ja bën të ditur se këto të dhëna tregojnë për rritje të rasteve, krahasuar me vitet e kaluara.

Më tej, në njoftim thuhet se “Pertusis, që ndryshe njihet edhe si ‘Kolla e Mirë’, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria ‘Bordetella pertussis’, që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar”.

“Kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1-vjeçare. Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar. Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë”, vijon njoftimi.

Tutje, IKSHPK-ja thekson se komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet etj.

“Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve. Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa rivaksinimi në moshën 18-muajshe. Terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për pertusis, sidomos në javën e parë dhe të dytë nga fillimi i simptomave”, vijon njoftimi.

Ndryshe nga sëmundjet e tjera si variçela, fruthi etj., Pertusisi mund të shfaqet te i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose imunizimit bien me kalimin e kohës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë raportuar për rritje të numrit të rasteve të Pertusisit në shumë vende të rajonit evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024. Raste të Pertusisit janë regjistruar gjatë kësaj periudhe edhe në vendet e rajonit.

IKSHPK-ja u bën thirrje prindërve t’i përmbahen kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.