Mbahet Mesha e Pashkëve, Ipeshkvi Gjergji bën thirrje për paqe
Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, organizoi sonte meshë solemne në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në kryeqytet.
Kjo në vigjilje të festës së Pashkëve e cila përkon me ringjalljen e Krishtit.
Meshës i priu, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë Jean Marie Speich si i ftuar nderi, raporton Kosova Press, transmeton Klankosova.tv.
Ipeshkvi Dodë Gjergji, pasi uroi festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë, foli për vizitën e delegatit Apostolik të Selisë së Shenjtë Jean Marie Speich.
Delegati Apostolik ka takuar gjatë kësaj jave përfaqësues të shtetit të Kosovës me të cilët ka biseduar për raportet ndërmjet dy vendeve.
Ipeshkvi foli edhe për rëndësinë e festës së Pashkëve dhe rolin e Shën Nënë Terezës që shërbeu për të mirën e njerëzimit në mbarë botën.
“Drita e Krishtit mbi ne dhe zjarri i dashurisë që ndizet brenda nesh e ka bërë botën më të mirë, nëpërmes të shenjtëve të kishës dhe një nga ato ka qenë Shën Nënë Tereza, bija e kishës sonë që ia kemi kushtuar këtë katedrale”, u shpreh ai.
Ipeshkvi Gjergji bëri thirrje që paqja të mbretërojë dhe t’iu jepet fund konflikteve kudo në botë.
“Ne ftojmë të gjithë njerëzit varësisht bindjeve fetare, përkatësive etnike, apo përgjegjësive politike të bëjmë ç’është e mundur që ndër ne të mbretërojë paqja dhe toleranca, dhe për ta arritur këtë është e domosdoshme të arrihet pajtimi”, tha Gjergji.
Në vigjilje të Pashkëve nesër nga ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, të cilës do t’i prijë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Nga ora 19:00 bëhet pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.
Pashkët janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të besimit katolik që kremtojnë ringjalljen e Krishtit.