Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – nis ceremonia e pritjes së liderëve nga Osmani
Foto: Laura Hasani

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – nis ceremonia e pritjes së liderëve nga Osmani

Aktuale April 15, 2024 - 12:21

Ka filluar ceremonia e pritjes se liderëve botërorë nga presidentja Vjosa Osmani, të cilët do të marrin pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ceremonia zyrtare e hapjes së Forumit do të bëhet nga ora 10:00, edicion ky i cili do të mirëpresë pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahet në Prishtinë, më 15 dhe 16 prill.

Forumi WPS 2024 sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS-së gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

Image

Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS-së.

Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej. /eo

Image
Image
Image