Osmani: Inspirohem nga gratë e Kosovës, lufta për drejtësi mision i jetës
Foto: Laura Hasani

Osmani: Inspirohem nga gratë e Kosovës, lufta për drejtësi mision i jetës

Aktuale April 15, 2024 - 12:28

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në edicionin e dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka deklaruar se Kosova qëndron kampione e agjendës së këtij forumi.

Duke qenë se tema kyçe e këtij forumi është dhuna seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, para të pranishmëve Osmani tha se lufta për drejtësi për gratë s’është punë e vetëm një misioni ose forumi.

E para e shtetit tha se ky edicion i forumit është unik në shumë aspekte.

“Atëherë këtu më lejoni ta bëj të qartë se Kosova qëndron si kampione, si flamurtare e kësaj agjende, për shkak se përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltar të të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë që nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, për të gjitha institucionet kosovare që kanë punuar me ne për ta bërë këtë forum të suksesshëm, për organizatat e shoqërisë civile, për institucionet e sigurisë, për komunitetin akademik, mediat dhe të tjerët që janë përfshirë”, tha Osmani.

“Përzgjedhja e dy temave kyçe për këtë edicion, nga njëra anë dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike në anën tjetër, nuk janë rastësi dhe në përpjekjet tona natyrisht kemi adresuar të gjitha sprovat e kohës, por na duhen edhe leksionet e së kaluarës, në mënyrë që të ballafaqohemi suksesshëm me të ardhmen”, tha tutje Osmani.

“Në këtë sfond të konfliktit, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’u përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha presidentja Osmani. /eo