Prokuroria Speciale deklarohet pas intervistimit të ministres Rozeta Hajdari
Foto: Laura Hasani

Prokuroria Speciale deklarohet pas intervistimit të ministres Rozeta Hajdari

Aktuale April 15, 2024 - 15:34

Ministrja e Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në mëngjesin e sotëm për disa orë është intervistuar brenda Prokurorisë Speciale.

Hajdari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës, ku po dyshohet se e ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, rasti ka të bëjë me rezervat shtetërore, bëjnë me dije nga Prokuroria.

“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje, thuhet se ministrja Hajdari e ka shfrytëzuar të drejtën e saj që të mbrohet në heshtje.

“Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje”, deklarohet Prokuroria në komunikatë. /eo