Ejupi: Malta rikonfirmon mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat

Ejupi: Malta rikonfirmon mbështetjen për Kosovën në të gjitha fushat

Aktuale April 15, 2024 - 17:40

Malta ka rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën, duke përkrahur edhe anëtarësimin e shtetit të ri në organizatat ndërkombëtare, kështu ka bërë të ditur Konsulli i Nderit të Maltës në Kosovë, Remzi Ejupi.

Ejupi e ka shoqëruar ambasadoren e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante në disa aktivitete që ajo ka marrë pjesë, duke konfirmuar angazhimin për bashkëpunim mes dy shteteve në të gjitha fushat.

“Kemi përmbyllur një javë me shumë aktivitete, takime bashkë me ambasadoren e Maltës në Kosovë, Juliana Scerri Ferrante.

Si Konsull Nderi i Maltës në Kosovë, bashkë me ambasadoren Scerri Ferrante, kemi pasur një javë mjaft të ngarkuar, ku edhe një herë është konfirmuar mbështetja e Maltës për Kosovën në të gjitha fushat, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare” , ka shkruar Ejupi.

Ejupi dhe Ferrante kanë marrë pjesë edhe në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024”, ku për herë të parë ka marrë pjesë edhe Autoriteti i Turizmit të Maltës, po ashtu aktivitetet kanë vazhduar edhe me takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Fillimisht kemi marrë pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2024”, ku për herë të parë Malta është prezantuar para qytetarëve të Kosovës si mundësi e re që vjen pas liberalizimit të vizave. Autoriteti i Turizmit i Maltës, ishte për herë të parë në Kosovë, ku janë hapur mundësitë që edhe bukuritë dhe turizmi i Kosovës të promovohen në të ardhmen edhe në Maltë”

“Jemi takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga e cila ambasadorja Scerri Ferrante, është informuar, për të arriturat e deritashme në fushën e sundimit të ligjit, reformën në drejtësi, adresimin për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore, po ashtu në këtë takim kemi diskutuar edhe çështje të ndryshme me interes të përbashkët, shkëmbime të eksperiencave që përfshijnë reformën në drejtësi, trajnimin e gjyqtarëve, vizita dhe konferenca të përbashkëta, dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh. Malta si një destinacion i ri për pushuesit nga Kosova, është prezantuar edhe në një ekspozitë të veçantë me fotografi të mrekullueshme nga qyteti i Cospicuas në Maltë që është hapur në Odën e Kryqyteti”, ka shkruar Ejupi, duke treguar se bashkë me ambasadoren ishim të ftuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në këtë ekspozitë, e cila shërben si një urë lidhëse mes dy kulturave tona. /Zëri