Murati udhëton për në SHBA
Foto: Laura Hasani

Murati udhëton për në SHBA

Aktuale April 16, 2024 - 12:09

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të marrë pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat mbahen në Washington DC.

Ministria e Financave ka njoftuar se këto takime mbledhin ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare, përfaqësuesit e sektorit privat, si dhe shoqërisë civile të mbi 100 shteteve në mbarë botën.

Sipas njoftimit nga MF-ja, njëra ndër pikat kryesore të këtyre takimeve do të jetë edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për financimin e politikave zhvillimore për politikën fiskale, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, që i sjell Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi.

Gjithashtu thuhet se, me ftesë të drejtoreshës menaxhuese për Operacione të Bankës Botërore, ministri Murati do të marrë pjesë në tryezën e diskutimeve ministeriale me temë “Zbatimi i projekteve për rezultate më të shpejta dhe ndikim më të madh”.

“Gjatë qëndrimit në Washington DC, ministri Murati pritet të takojë edhe përfaqësues nga menaxhmenti i lartë i Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe institucioneve të tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftim. /Zëri